Elbasani pret nesër në “Elbasan Arena” skuadrën e Flamurtarit në kuadër të kampionatit, me objektivin e qartë për të marrë tri pikët. Situata në kampin verdheblu paraqitet e qetë dhe pozitive, edhe pse çdo ndeshje mbetet një histori më vete, sidomos në një sezon ku elbasanasit kanë vendosur synime madhore. Objektivi minimal është renditja në katërshe, ndaj përballja me vlonjatët shihet si një test i rëndësishëm për vazhdimësinë e rezultateve.
Trajneri Ivan Gvozdenoviç, në prononcimin e dhënë një ditë para sfidës, nuk e fshehu ambicien për ta nisur vitin mbarë në kampionat, duke theksuar rëndësinë që ka ky takim edhe në aspektin moral. “Pas tri ditësh përballemi sërish me Flamurtarin, kësaj here ndryshe nga ajo e Kupës. Mendimi ynë i parë është që ta nisim vitin në kampionat sa më mirë. Duam fitore dhe jemi gati, sepse edhe situata e ekipit është e mirë. Ndeshja e parë ka rëndësi të madhe edhe nga ana morale. Pres një ndeshje të fortë dhe interesante, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë me Flamurtarin”, u shpreh tekniku verdheblu.
Gara për zonat e larta të renditjes sjell natyrshëm edhe presion, veçanërisht në ndeshjet që luhen në shtëpi. Trajneri serb nënvizoi se ekipi e di si ta menaxhojë këtë aspekt.
“Presioni është pjesë e futbollit. Si ne që luftojmë për kreun, ashtu edhe skuadrat e tjera për objektivat e tyre. Ky presion na motivon më shumë. Jemi Elbasani dhe jemi gati për situata të tilla”, u shpreh Gvozdenoviç.

