Gvozdenoviç beson tek përmbysja ndaj Partizanit: Elbasani shkon në gjysmëfinale të Kupës

Elbasani do të luajë sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, teksa do të përballet me Partizanin për një biletë në gjysmëfinalen e Kupës. Humbja minimale 0-1 në takimin e parë, të zhvilluar në Elbasan, ka vështirësuar disi rrugën e verdhebluve drejt kualifikimit. Megjithatë, diferenca prej vetëm një goli lë ende gjithçka të hapur për sfidën e kthimit. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shfaq i qetë dhe optimist, duke theksuar se skuadra e tij është e përgatitur maksimalisht për këtë përballje vendimtare. “Është e vërtetë që Partizani ka një avantazh të lehtë pas fitores 0-1 në ndeshjen e parë, por gjithçka mbetet e hapur. Do ta përgatisim këtë sfidë me qetësi dhe përqendrim maksimal. Një gol diferencë nuk është shumë. Ndoshta në letër shanset janë 60% për Partizanin dhe 40% për ne, por ne besojmë te forcat tona. Do të luftojmë deri në fund për të arritur një rezultat pozitiv dhe për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale”, deklaroi fillimisht tekniku i elbasanasve.

FORMA E KUNDËRSHTARIT – Sa i përket formës së kundërshtarit, i cili po kalon një moment mjaft pozitiv, Gvozdenoviç nuk e fsheh respektin, por as nuk shfaq shqetësim. “Partizani është skuadra e momentit dhe meriton komplimente për formën që po tregon. Megjithatë, kjo nuk na tremb. Edhe Elbasani ka cilësi dhe forcë. Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe e hapur për tifozët, ku në fund do të fitojë skuadra që do të tregojë më shumë në fushë”, vijoi ai.

KËRKOHET FAT – Trajneri theksoi gjithashtu se, përveç përgatitjes taktike dhe angazhimit maksimal, në një ndeshje të tillë vendimtare nevojitet edhe pak fat. “Në ndeshjen e parë nuk patëm fatin në anën tonë. Në takime të tilla, detajet bëjnë diferencën. Shpresoj që këtë herë fati të jetë me ne. Stafi dhe lojtarët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë në fushë”, përfundoi Gvozdenoviç. Një ditë para kësaj sfide të rëndësishme, skuadrën e vizitoi edhe presidenti Kujtim Llupa gjatë seancës stërvitore. Ai u kërkoi lojtarëve të japin maksimumin në fushë dhe të luftojnë për çdo top, me synimin e qartë për të siguruar kalimin në turin tjetër të Kupës. Tashmë gjithçka do të vendoset në 90 minutat e sotme, ku Elbasani do të tentojë të përmbysë disavantazhin minimal dhe të vazhdojë rrugëtimin në një nga objektivat kryesorë të sezonit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME