Sot në orën 13:00, në fshatin Gryksh i Madh, në bashkinë e Peqinit, do të organizohet ceremonia e lamtumirës për katër pjestarët e familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht në Itali javën e kaluar.
Viktimat janë Arti Kola, kryefamiljari, bashkëshortja e tij Jonida Kola, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola dhe Xhesika Kola. Humbja e tyre ka tronditur thellë komunitetin vendas dhe më gjerë, duke lënë pas një dhimbje të madhe tek të afërmit, miqtë dhe bashkëfshatarët.

Familja Kola, e cila prej vitesh jetonte dhe punonte në emigracion, rikthehet sot në vendlindje për t’u prehur në tokën ku hodhën hapat e parë. Ceremonia mortore pritet të mbledhë dhjetëra qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe të afërm, të cilët do t’u japin lamtumirën e fundit në një atmosferë zie dhe solidariteti.
Grykshi i Madh bashkohet sot në dhimbje, duke ndarë një nga momentet më të rënda për komunitetin dhe duke shprehur mbështetje për të afërmit e familjes Kola në këtë tragjedi që ka prekur zemrat e të gjithëve.

