Piloti legjendar i Formulës 1, gjermani Michael Schumacher, pësoi lëndime të rënda në kokë më 29 dhjetor 2013, gjatë pushimeve për skijim në një resort në Francë. Pas këtij aksidenti, ai qëndroi në koma të induktuar për disa muaj, ndërsa trajtimi i tij mjekësor u bë me procedura të rralla dhe të mbajtura sekrete, sipas kërkesës së familjes për privatësi të plotë.
Informacionet rreth gjendjes së tij dhe jetës së përditshme në shtëpinë ku qëndron i izoluar kanë dalë shpesh pa konfirmim zyrtar. Së fundmi, gazetari Stéphane Lhermitt nga “L’Equipe” raportoi se Michael Schumacher, me ndihmën e gruas së tij Corina, nënshkroi një helmetë për një veprim humanitar – një gjest që përfaqëson veprimin e tij të parë publik që nga aksidenti. Lhermitt theksoi se kjo është një shenjë pozitive, megjithatë nuk ka konfirmim zyrtar dhe Schumacher ndoshta ende nuk është në gjendje të flasë.
Gjithashtu, gazetari gjerman Felix Goerner, i cili ka ndjekur çështjen e 7-herë kampionit të Formula 1, dha lajme të trishtuara. “Ai nuk mund të shprehë më mendimet e tij me gojë. Është një gjendje shumë e trishtueshme,” tha ai. Goerner shtoi: “Ai ishte një hero i pathyeshëm, dhe tani të gjithë mbajmë shpresën. Por ai thjesht nuk është mirë dhe ndoshta nuk do ta shohim më kurrë.”