Gazetari dhe studiuesi i njohur Marin Mema ka ndarë një mesazh frymëzues në rrjetet sociale, duke folur për misionin e tij të pandalur në takimet me të rinjtë në shkolla dhe universitete anembanë vendit.
“Nuk ndalemi! Takimet, bashkëbisedimet me të rinjtë mbeten një ndër elementët më thelbësorë të punës sime,” – shkruan Mema, i cili prej vitesh është kthyer në një zë të fortë që nxit ndërgjegjësimin kombëtar, respektin për historinë dhe identitetin shqiptar.

Vetëm gjatë periudhës 2024-2025, gazetari ka zhvilluar mbi 60 takime me nxënës e studentë në qytete të ndryshme të vendit nga Tirana dhe Durrësi, në Elbasan, Korçë, Pogradec, Shkodër, Ersekë, Bajram Curri, Maqellarë, Krujë, Kavajë e më tej.
Ai thekson se në këto bashkëbisedime me të rinjtë trajton tema që lidhen me dashurinë për atdheun, respektin ndaj familjes e mësuesve, punën, ndershmërinë, reagimin qytetar, historinë dhe identitetin kombëtar.

“Dashuria ndaj vendit tregohet edhe duke mbështetur rininë, pa interes, pa prapavijë, pa qenë pjesë projektesh… por me zemrën plot dëshirë që ata të jenë forca e vërtetë,” – shprehet Mema.
Gazetari vlerëson se rinia është pasuria më e madhe e vendit, ndaj angazhimi me të duhet të jetë i përditshëm dhe i sinqertë. “Është kënaqësi të shoh tek sytë e tyre dritën e së ardhmes dhe forcën për të ndryshuar shoqërinë,” – shkruan ai ndër të tjera.

Përmes këtij mesazhi, Marin Mema sjell një shembull të qartë të patriotizmit modern ,atë që nuk matet me fjalë, por me veprim, me përkushtim ndaj brezit të ri dhe besimin se forca e Shqipërisë qëndron tek rinia e saj.


