“Fushë-Mbret”, 90 vite histori, bashkim dhe kujtesë kombëtare në zemër të Elbasanit

Lagjja historike “Skënderbej” në Elbasan, e njohur ndryshe si “Fushë-Mbret”, festoi 90-vjetorin e themelimit me një ceremoni përkujtimore, ku morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Princ Leka, nipi i Mbretit shqiptar Ahmet Zogu.

Kjo lagje u themelua në vitin 1935 si pjesë e Reformës Agrare të Mbretit Zog, që synonte sistemimin e familjeve shqiptare të dëbuara nga Kosova dhe Maqedonia. “Fushë-Mbret” u bë strehë e re për dhjetëra familje që lanë pas trojet e tyre, duke ndërtuar këtu një komunitet të fortë, me vlera të spikatura qytetare e kombëtare.

Në ceremoninë përkujtimore, të zhvilluar në ambientet e lagjes, u nderuan me certifikata mirënjohjeje figura të shquara të komuniteteve shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia për kontributin e tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturës dhe traditave.

Të vlerësuarit ishin Bajram Ipeku, për guximin dhe vendosmërinë që hapën rrugë për brezat e rinj të Pejës; Sadik Merko, patriot nga Struga, i njohur për angazhimin në mbrojtjen e vlerave kombëtare; Idris Gërlica Krasniqi, rapsod popullor dhe ruajtës i trashëgimisë kulturore shqiptare; Hasan Feratozi, nacionalist nga Maqedonia, i dalluar për përkushtimin ndaj çështjes shqiptare; Mustafa Dauti, myfti i respektuar që ruajti traditat dhe identitetin shpirtëror të komunitetit mysliman; dhe Faslli Berisha, përfaqësues i një familjeje patriotike me kontribut në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në mbrojtjen e vlerave kombëtare.

Gjatë aktivitetit u përkujtua momenti historik i tetorit 1935, kur në lagjen “Fushë-Mbret” u vendosën për herë të parë 56 familje kosovare dhe 15 familje maqedonase, duke shënuar fillimin e një bashkëjetese shembullore që vijon prej nëntë dekadash.

Kryetari Gledian Llatja theksoi se lagjja “Fushë-Mbret” përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit kulturor të Elbasanit.

Ai vuri në dukje se vitet e fundit janë realizuar investime të mëdha infrastrukturore dhe sociale në këtë zonë, për t’i dhënë vendin që i takon në historinë urbane të qytetit.

Ky përvjetor është një kujtesë e rrënjëve tona dhe e lidhjeve të forta që na bashkojnë si komb. ‘Fushë-Mbret’ është dëshmi e gjallë e historisë, sakrificës dhe unitetit shqiptar”, u shpreh Llatja gjatë fjalës së tij.

Ceremonia u mbyll me një atmosferë festive e simbolike, duke vlerësuar trashëgiminë, guximin dhe përkushtimin e brezave që ndërtuan këtë lagje dhe e kthyen në një pjesë të rëndësishme të mozaikut historik të Elbasanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Operacion blic në Elbasan: Arrestohen eksponentë të njohur të botës së krimit

Një operacion i befasishëm i policisë është zhvilluar gjatë...

Elbasani, qarku i parë në Shqipëri që ndalon përdorimin e monopatinave elektrike – masa të reja për sigurinë rrugore

Përdorimi i monopatinave elektrike tashmë është zyrtarisht i ndaluar...