Federata e Futbollit të Indonezisë (PSSI) ka njoftuar sot ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin holandez Patrick Kluivert, vetëm dhjetë muaj pas emërimit të tij në krye të kombëtares. Vendimi vjen pas humbjeve vendimtare ndaj Arabisë Saudite dhe Irakut, që i shuan të gjitha shpresat e Indonezisë për një pjesëmarrje historike në Botërorin 2026.
Kluivert, legjenda e Barcelonës dhe Ajaxit, kishte marrë drejtimin e skuadrës në janar me objektivin ambicioz për të çuar Indonezinë në Botërorin e parë në historinë e saj që prej pavarësisë në vitin 1945. Nën drejtimin e tij, kombëtarja arriti për herë të parë në raundin e katërt të kualifikueseve aziatike, por dështimi në ndeshjet e fundit solli fundin e aventurës.
Në takimin e fundjavës kundër Irakut në Jeddah, Indonezia u mund minimalisht 1-0, ndërsa dy lojtarë u përjashtuan me karton të kuq pas përfundimit të ndeshjes, në një atmosferë të tensionuar. Pas këtij rezultati, federata njoftoi zyrtarisht ndarjen me Kluivert “me marrëveshje të ndërsjellë”, duke e përfshirë si pjesë të një procesi të gjerë riorganizimi të programit kombëtar të futbollit.
Gjatë tetë ndeshjeve të tij në pankinën e Indonezisë, 49-vjeçari regjistroi tre fitore, katër humbje dhe një barazim. Humbjet e rënda 5-1 ndaj Australisë dhe 6-0 ndaj Japonisë tronditën besimin e drejtuesve dhe tifozëve.
Para këtij angazhimi, Kluivert kishte drejtuar përfaqësuesen e Kurasao-s dhe klubin turk Adana Demirspor. Si futbollist, ai mbetet një nga emrat më të mëdhenj të brezit të tij, me trofe të fituar në Eredivisie, La Liga dhe Champions League.
Suksesin më të madh në karrierën si trajner, Kluivert e arriti si ndihmës i Louis van Gaal me Holandën, që përfundoi në vendin e tretë në Botërorin 2014.