“Final 4” është arritur, tani synojmë kreun, flet Hetlen Çapja

Elbasani ndodhet në një pozicion komod në klasifikim dhe deri më tani mund të thuhet se ka zhvilluar një kampionat pozitiv. Verdheblutë kanë treguar stabilitet dhe karakter, duke u shndërruar me meritë në një nga skuadrat pretendente të këtij sezoni. Dilema e vetme mbetet nëse në javët e mbetura do ta ruajnë vazhdimësinë e rezultateve për të qëndruar deri në fund në garë për titullin kampion. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori kampion, Hetlen Çapja, analizon ecurinë e Elbasanit në këtë edicion, duke theksuar se asgjë nuk është rastësore. “Ndryshe nga viti i kaluar, Elbasani tani i ka hedhur bazat e duhura. Kjo ecuri tregon se nuk jemi rastësisht në vendin e tretë dhe vetëm tri pikë larg kreut. Megjithatë, kjo kërkon vazhdimësi, sidomos duke llogaritur se në fund kemi edhe ‘Final 4’, objektiv që unë mendoj se e kemi arritur”, u shpreh fillimisht Çapja.

TITULLI KAMPION – Çapja është një emër që e njeh mirë peshën e fanellës dhe emocionin e ngritjes së trofeut. Ai ka fituar tituj kampion me Elbasanin, Tiranën dhe Dinamon, por më i paharruari për të mbetet ai me verdheblutë në vitin 2006. Nostalgjia është e natyrshme, por ish-mesfushori ruan realizmin. “Kur kujtojmë vitin kur u shpallëm kampionë, bëhemi padyshim nostalgjikë. Për mua ishte një emocion i papërshkrueshëm. Ndoshta ky mund të jetë një vit ku mund të kemi një përsëritje… Megjithatë, duhet të jemi realistë. Atmosfera e atyre viteve është e vështirë të rikrijohet, sepse atëherë i gjithë qyteti dhe zonat përreth ishin pjesë e asaj ëndrre. Edhe sot nuk mungon entuziazmi i tifozërisë, por ato vite ishin të jashtëzakonshme”, vijoi ai. Sipas Çapjas, diferencën këtë sezon e ka bërë grupi, balanca mes lojtarëve me eksperiencë dhe elementëve të rinj, si edhe qartësia në objektiva. Ai thekson se skuadra ka fituar personalitet dhe di të menaxhojë momentet e vështira gjatë ndeshjeve.

SFIDA ME BYLISIN – Në fund, Çapja ndalet te dueli i radhës ndaj Bylisit, një përballje që ai nuk e sheh aspak të lehtë. “Në këtë fazë të kampionatit nuk ka ekipe të lehta. Për shembull, Vllaznia mundi Elbasanin, ndërsa Bylisi mund Vllazninë. Kjo tregon se pozicioni në renditje nuk garanton asgjë. Çdo skuadër di të luajë futboll dhe meriton respekt për atë që jep në fushë. Këshilla ime është që ekipi të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të synojë tri pikët, sepse vetëm kështu mund të vazhdojmë ngjitjen drejt kreut”, përfundoi ish-mesfushori elbasanas. Me disa javë të mbetura deri në mbyllje të sezonit të rregullt, Elbasani ka gjithçka në dorën e vet. Qëndrueshmëria, përqendrimi dhe mbështetja e tifozëve mund të jenë faktorët kyç për ta kthyer këtë sezon të mirë në një sezon historik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...