Festivali Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës” e bën Tiranën qendër të letërsisë shqip

Nga Fatmir Popja

Një hap i ri për letërsinë shqiptare po merr formë në zemër të Tiranës. Poetja dhe piktorja e njohur Adelina Pali ka hedhur themelet e Festivalit Kombëtar Letrar “Nën Dritën e Fjalës”, një nismë që synon të bëhet një ngjarje e përvitshme dhe e shumëpritur në kalendarin kulturor të vendit.

Ky festival nuk është thjesht një takim mes poetëve, është një përpjekje e vetëdijshme për të afruar zërin e fjalës së shkruar me publikun, për të krijuar ura lidhëse mes autorëve dhe lexuesve, mes Shqipërisë dhe diasporës sonë krijuese, mes pasionit dhe përgjegjësisë së artit.

Nën Dritën e Fjalës” premton të jetë një hapësirë ku poetët, shkrimtarët, artistët e fjalës së bukur, të rinj apo me përvojë, mund të ndajnë krijimtarinë e tyre përballë një audience të gjallë, të pranishme dhe të angazhuar.

Teksa interesimi për festivalin ka ardhur gjithnjë në rritje, sidomos nga krijues të shumtë nga diaspora, vetë producentja e festivalit, Adelina Pali, ka ndarë publikisht një reflektim që ka vlerë të dëgjohet: Në rrjetin e saj social Facebook ajo shkruan:

Të dashur krijues nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, më gëzon jashtë mase dëshira juaj për të qenë pjesë e këtij festivali. Por më lejoni t’ju bëj një pyetje: Nëse nga 30 konkurrentë, 15 apo 20 përzgjidhen nga diaspora dhe këta nuk mund të jenë fizikisht të pranishëm në festival, me kë do ta zhvillojmë atë? Për kë do të jetë publiku në sallë?”.

Kjo pyetje ngre një shqetësim real dhe logjik për organizimin: A mund të funksionojë një festival letrar pa praninë fizike të vetë krijuesve? Adelina Pali shprehet hapur se dëshira për të përfshirë sa më shumë zëra është e madhe, por buxheti dhe mundësitë teknike këtë vit janë të kufizuara.

Ajo u është përgjigjur edhe disa kritikave të parakohshme, duke theksuar se festivali nuk është një platformë për protagonizëm individual, por një mundësi për të ndërtuar një komunitet letrar bashkëpunues dhe solidar.

Në vend të dyshimeve dhe paragjykimeve, producentja bën thirrje për mbështetje dhe vlerësim të përpjekjes: “Unë nuk ju kam asnjë borxh. Por e ndjej si detyrë ta bëj këtë për dashurinë ndaj poezisë dhe komunitetit tonë letrar. Kush ka ide të tjera, le t’i bëjë realitet… askush s’ju ndalon.”

Kjo nismë nuk kërkon lavdi, por bashkëpunim. Nuk është thjesht një ngjarje, por një akt dashurie ndaj fjalës së shkruar, ndaj poetëve që ende besojnë në fuqinë e saj për të ndriçuar shpirtin njerëzor.

Nën Dritën e Fjalës” është një ftesë për të mos qenë spektatorë pasivë, por pjesë aktive e një realiteti të ri kulturor, ku krijimi letrar nuk izolohet në heshtje, por shpërndahet, dëgjohet dhe respektohet. Të gjithë ata që besojnë në letërsi janë të ftuar. Jo vetëm të konkurrojnë, por të marrin pjesë, të dëgjojnë, të duartrokasin, të krijojnë një atmosferë që e mban gjallë fjalën shqipe.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME