Nga Ymer Hysa
Gjeografia poetike e poetëve që morën pjesë në edicionin e radhës të zhvilluar në Novara të Italisë nga Bashkimi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” përfshinte poetë e poete jo vetëm nga trojet kombëtare, por edhe nga Europa, si Gjermania, Franca, Italia, Anglia etj.
Interesimi i organizatores, njëherësh edhe Presidente e këtij bashkimi, poetja dhe veprimtarja shoqërore Trandafile Molla, të cilën italianët e kanë “pagëzuar” me emrin Roza, dhe meraku i saj që gjithçka të shkonte bukur, ishte i madh. Kjo punë fillonte që nga pritjet në aeroport, sepse oraret e avionëve jo vetëm ishin të ndryshëm, por edhe kishin vonesa në fluturime. Veç angazhimit të saj personalisht, ishin përfshirë edhe familjarët me makinat e tyre, si e bija Sllovana dhe i shoqi Ramazani.

Përkujdesje duhej treguar edhe për ata që vinin nga larg me makinat e tyre, pasi edhe për ta duhej akomodimi nëpër hotele.
Grupi ynë nga Shqipëria, që zbriti në aeroportin Malpensa, përbëhej, përveç meje, edhe nga poetët Hamdi Hysuka, Fatmir Gjestila, Lola Shehi, Agim Bajrami, Agim Lika, Urim Mezini etj. Veç nesh ishte edhe grupi i poetëve nga Kosova, me Prof. Shyqyri Galica, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, poeten Arbnesha Kelmendi Draga, poetin Adem Zejnullahu etj.
Nga aeroporti i Malpensas gjer në Novara ishte goxha rrugë, por falë përkujdesjes së zonjës Trandafile gjithçka shkoi mirë.

Pas akomodimit dhe një pushimi të shkurtër në hotel, sipas shoqërive të akorduara, dolëm nëpër qytetin historik dhe të bukur të Novarës, duke bërë edhe fotografi për t’i patur si kujtim.
E nesërmja, që përkonte me ditën e shtunë, do të na zgjonte herët. Pas ngrënies së mëngjesit morëm rrugën për në qendër të qytetit, në sallën kryesore të provincës, ku do të zhvillohej aktiviteti letrar që ishte i pesti në radhë.
Gjithçka e përgatitur me kujdes nga organizatorja Trandafile Molla: secili në vendin e duhur dhe secili para një mikrofoni dhe librit “Lulkuqet e Globit”, i botuar nga ky grup shkrimtarësh dhe artistësh, i cili do të promovohej nga poetët e pranishëm, shumica autorë të poezive në të. Poeti Fatmir Gjestila, i cili ka shkruar edhe parathënien e këtij libri, mbajti fjalën rreth vlerave kombëtare të tij, që përmban poezi për fëmijë të shkruara nga poetë të rritur dhe nga vetë fëmijët.

Salla ishte plot me poetë të rinj e të moshuar, artistë, piktorë, gazetarë dhe moderatorë. E nderonin me pjesëmarrjen e tyre Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, znj. Anila Pojani, përfaqësuesja e provincës znj. Chiara Rondini etj.
Moderatorja Etleva Rrapa, e veshur me kostum tradicional shqiptar, e moderoi mjeshtërisht aktivitetin, duke i dhënë përmasat e një spektakli të mirëfilltë.
Pas himneve kombëtare të dy vendeve, mes duartrokitjeve e ovacioneve, nisi ky festival i poezisë dhe artit.

Pas fjalës përshëndetëse nga Trandafile Molla, e cila foli për punën, vështirësitë, sukseset dhe objektivat e bashkimit, përshëndeti Konsullja Anila Pojani, e cila foli rreth letërsisë dhe artit si ura bashkimi shpirtëror mes shqiptarëve kudo në botë. Përshëndeti edhe përfaqësuesja e provincës Chiara Rondini, e cila përgëzoi organizatorët dhe ofroi bashkëpunim në të ardhmen. Përshëndeti Prof. Shyqyri Galica, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, duke folur për mbështetjen dhe bashkëpunimin mes dy organizmave letrarë.

Poeti Hamdi Hysuka, në cilësinë e Kryetarit të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, gjithashtu mbajti një kumtesë rreth Formulës së Pagëzimit.
Në këtë festival u promovuan librat “Lulkuqet e Globit”, si dhe librat e autorëve Myftar Gjonbalaj dhe Fali Ndreka.
Organizatorët e kishin menduar aktivitetin si një spektakël: fjalë përshëndetëse, recitime, këngë nga fëmijët dhe ndarje çmimesh e mirënjohjesh përmes çertifikatave, medaljeve etj.

Për rreth tre orë aktiviteti, të pranishmit nuk u mërzitën për asnjë moment. Secili u ndje pjesë e tij: përmes prezantimit, recitimit, marrjes së çertifikatës, medaljes dhe fotografive.
Pas mbylljes, të gjithë së bashku u drekuam në një restorant shqiptar, ku shijuam gatime tradicionale, muzikë shqiptare dhe tortën e festës, që përkonte me festat e nëntorit: Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit.
Edhe aty u shkëmbyen libra e u bënë shumë fotografi, për t’u ruajtur si kujtime të paharruara.

Zyrtarisht, aktiviteti përfundoi këtu, por përkujdesi i mikpritësve jo. Përsëri shpërndarje në hotele dhe përcjellje në aeroport ditën tjetër me makinat personale të familjes.
Faleminderit Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Zëri i Mërgimtarit” me qendër në Novara. Faleminderit Presidente, mike poete Trandafile Molla, që përveç kënaqësisë që më dhuruat, më nderuat edhe me Çmimin Letrar “Ymer Elshani”.


