Paraditen e së hënës, në Kishën Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare “Shën Maria” në lagjen Kala e Elbasanit, u mbajt një nga festat më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, “Fjetja e Hyjlindëses”. Ceremonia e shenjtë u drejtua nga dhjaku Migen Robja në prani të besimtarëve që kishin ardhur për të nderuar figurën e Nënës së Krishtit.
Festa, e njohur ndryshe si “Marrja” ose “Ngjitja e Zojës në Qiell”, përkujton vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Virgjëreshës Mari. Sipas traditës së krishterë, në këtë ditë Maria iu bashkua Birit të saj në jetën e përjetshme. Festa është e paraprirë nga dy javë agjërimi dhe zë një vend të rëndësishëm në kalendarin shpirtëror të besimtarëve ortodoksë dhe katolikë në mbarë botën.
Kisha e “Shën Marisë”, ku u zhvillua kremtimi, është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. E ndërtuar rreth vitit 1830 mbi themelet e një kishe më të vjetër nga komuniteti ortodoks i Elbasanit, ajo është shpallur monument kulture që në vitin 1963 nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Kjo kishë shquhet për vlerat e saj të rralla etnokulturore dhe arkitekturore, duke qenë një simbol i gjallë i trashëgimisë shpirtërore dhe historike të qytetit.
Për besimtarët dhe komunitetin ortodoks të Elbasanit, festa nuk është vetëm një rit fetar, por edhe një moment reflektimi, ripërtëritjeje shpirtërore dhe ruajtjeje të traditave të lashta që lidhen me kultin e Nënës së Krishtit.
Mesha e sotme është e para dhe më e rëndësishmja që mbahet në Kishën Shën Maria të lagjes Kala e Elbasanit që nga ndarja nga jeta e At Nikolla Markut, i cili e drejtoi për rreth tri dekada këtë institucion fetar.
albaniaexpress.al