Në fshatin Orenjë Katund të Librazhdit po merr formë një nismë e veçantë bujqësore që po tërheq vëmendjen e komunitetit lokal. Artur Balla, i kthyer nga emigracioni pas shumë vitesh pune jashtë vendit, ka vendosur të ndërtojë jetën e tij në atdhe duke ngritur një fermë unike me gomarica.
Aktualisht, ai ka nisur me 20 gomarica, me synimin për të krijuar fermë-n e parë dhe më të madhe të këtij lloji në zonën e Librazhdit. Me ndihmën e familjes, Arturi prodhon qumësht bio të gomaricës, një produkt i rrallë dhe shumë i kërkuar në tregjet shqiptare për vlerat e tij ushqyese dhe shëndetësore.
Qumështi i gomaricës njihet për përbërjen e ngjashme me qumështin e nënës dhe përdoret si kurë natyrale për alergjitë dhe sëmundjet e frymëmarrjes, si dhe për prodhimin e produkteve kozmetike. Ky interes ka bërë që prodhimi i vogël familjar i Ballës të gjejë kërkesë në disa qytete të vendit, përfshirë Elbasanin dhe Tiranën.
Ferma e tij është shembull i sipërmarrjes rurale që lidh traditën me zhvillimin e qëndrueshëm. Për Arturin, rikthimi në Orenjë nuk është thjesht kthim në shtëpi, por një mënyrë për të kthyer dashurinë për vendlindjen në punë, zhvillim dhe shpresë.
Ai synon që në të ardhmen të zgjerojë numrin e gomaricave dhe të krijojë kushte për agroturizëm, duke e kthyer fermën në një destinacion vizitash për shkolla dhe turistë.
Në një kohë kur shumë të rinj largohen nga fshati, iniciativa e Artur Ballës dëshmon se me përkushtim dhe ide të guximshme, jeta në zonat rurale mund të lulëzojë sërish.