Europa League ka nisur sezonin e ri me duele emocionuese dhe rezultate surprizë. Mbrëmja e së mërkurës solli gola, përmbysje dhe një protagonist shqiptar në fushë.
Në Zagreb, Dinamo mposhti gjigantët turq të Fenerbahçes me shifrat 3-1. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha, spikati me një asist të artë për Beljon në minutën e 51’, duke kaluar sërish në avantazh kroatët, ndërsa më pas Bakrar vulosi fitoren me golin e tretë.
Në Sevilje, rikthimi i Nottingham Forest në Europë pas 30 vitesh pritej me shumë interes. Anglezt dominuan ndaj Betisit për 85 minuta, por në fund ishte Antony ai që shpëtoi spanjollët, duke e mbyllur sfidën 2-2.
Spektakël pati edhe në Francë, ku Roma fitoi 2-1 në fushën e Nicës. Pas një pjese të parë me tension dhe kartona, verdhekuqtë shënuan dy herë brenda 3 minutash me Ndickën dhe Mancinin. Francezët reaguan me një penallti të Moffit, por nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Nga sfidat e tjera, Freiburg mundi 2-1 Baselin, Braga fitoi minimalisht ndaj Feyenoordit, ndërsa Crvena Zvezda u ndal në një 1-1 me Celticin. Malmo u dorëzua 1-2 përballë Ludogoretsit, kurse takimi PAOK-Maçabi Tel Aviv përfundoi pa gola. Midtjylland triumfoi 2-0 ndaj Sturm Graz në Danimarkë.
Rezultatet e plota:
- Midtjylland 2-0 Sturm Graz
- PAOK 0-0 Maçabi Tel Aviv
- Betis 2-2 Nottingham Forest
- Braga 1-0 Feyenoord
- Crvena Zvezda 1-1 Celtic
- Dinamo Zagreb 3-1 Fenerbahçe
- Freiburg 2-1 Basel
- Malmo 1-2 Ludogorets
- Nice 1-2 Roma