Kryeinspektori i ri Rajonal merr detyrën, ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) ka kërkuar ritëm
të lartë dhe përkushtim
maksimal nga të gjithë për identifikimin e problematikave dhe marrjen e masa konkrete për përmirësimin e stabilimenteve ushqimore
ELBASAN, 5 tetor 2026 /Albania Express News/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka një drejtues të ri rajonal në Qarkun e Elbasanit. Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, prezantoi sot Eugert Sallën në detyrën e Kryeinspektorit Rajonal të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Qarkun e Elbasanit.
Në prezantimin e tij, Gjylameti vlerësoi eksperiencën e Sallës në administratën publike dhe menaxhimin institucional, duke e cilësuar emërimin e tij si një zgjedhje për drejtimin e strukturës rajonale të AKU-së dhe për përballimin e sfidave që lidhen me sigurinë ushqimore në qark.
Eugert Salla vjen në këtë detyrë pas një karriere disa-vjeçare në administratën publike, ku ka mbajtur funksione drejtuese në institucione të rëndësishme.
Ai ka drejtuar Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë periudhave të ndryshme, përfshirë vitet 2011–2016 dhe qershor 2016–tetor 2023. Gjatë kësaj kohe, Salla ka qenë në drejtimin e një prej institucioneve penitenciare të rëndësishme në vend.
Më herët, ai ka shërbyer edhe si Drejtor i Institucionit të Paraburgimit Elbasan, duke krijuar një eksperiencë të konsoliduar në administrimin dhe menaxhimin e strukturave publike.
Salla ka pasur gjithashtu angazhime në strukturat politike lokale, ku ka mbajtur funksionin e Sekretarit të Partisë Socialiste, Dega Elbasan.
Sa i përket formimit arsimor, Eugert Salla ka përfunduar studimet universitare në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ndërsa arsimin e mesëm e ka kryer në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan.
Blerina Gjylameti: Prioritet identifikimi i problematikave
Gjatë prezantimit, Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, vuri theksin te sfidat që lidhen me rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe përmirësimin e kushteve në stabilimentet ushqimore.
Sipas saj, një nga prioritetet kryesore është identifikimi i problematikave në terren dhe marrja e masave konkrete për përmirësimin e standardeve.
Gjylameti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, partnerëve dhe industrisë ushqimore, me synimin për të krijuar një sistem më modern dhe të besueshëm të sigurisë ushqimore.
“Angazhimi i të gjithë institucioneve, mbështetja e partnerëve, si dhe bashkëpunimi me industrinë ushqimore do të ndërtojë një sistem modern dhe të besueshëm të sigurisë ushqimore në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Gjylameti.
Detyra e re e Kryeinspektorit Rajonal të AKU-së në Elbasan e vendos Sallën përballë përgjegjësisë për koordinimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së strukturave rajonale në një sektor me ndikim të drejtpërdrejtë te konsumatori dhe shëndeti publik.
Në fokus pritet të jetë forcimi i kontrolleve, evidentimi i problematikave, rritja e standardeve të operatorëve ushqimorë dhe bashkëpunimi më i ngushtë me institucionet dhe bizneset që operojnë në sektorin ushqimor në të gjithë Qarkun e Elbasanit.
Emërimi i ri vjen në një periudhë kur siguria ushqimore dhe përafrimi i standardeve me kërkesat europiane janë në qendër të vëmendjes institucionale, duke e bërë kontrollin, monitorimin dhe përmirësimin e stabilimenteve një nga sfidat kryesore për strukturat rajonale të AKU-së.

