Me ndjenjë të veçantë përgjegjësie dhe krenarie, deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun Elbasan, z. Ermal Elezi, u shpreh se ka pasur privilegjin të prezantohet si përfaqësues i qytetit të Gramshit – një zonë që e lidh ngushtë me origjinën dhe trashëgiminë familjare.
“Vota e fuqishme dhe besimi masiv që qytetarët e Gramshit treguan edhe më 11 maj për Partinë Socialiste është një përgjegjësi dhe nder i madh për mua personalisht”, thekson Elezi, duke nënvizuar se kjo mbështetje e gjerë popullore përbën një shtysë për të vijuar me përkushtim punën për të ardhmen e qytetit dhe banorëve të tij.
Duke shprehur mirënjohje të thellë për strukturat e Partisë Socialiste në Gramsh, ai shton:
“Ndjej detyrimin të punoj çdo ditë që zëri i këtij qyteti të dëgjohet qartë dhe aspiratat tona të përkthehen në zhvillim, mirëqenie dhe dinjitet për çdo familje gramshiote.”
Me një fokus të qartë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përfaqësim dinjitoz në Kuvend, z. Elezi riafirmon angazhimin e tij për të qenë zëri i çdo qytetari të Gramshit në nivel qendror.