Emergjencat shëndetësore nën eskortë policie në aksin e bllokuar Librazhd–Prrenjas

Bllokimi total i aksit Librazhd–Prrenjas ka krijuar jo vetëm radhë të gjata automjetesh, por edhe situata kritike për rastet e emergjencave shëndetësore. Në kushtet kur ura në segmentin problematik rrezikon shembjen, patrullat e Policisë po shoqërojnë me përparësi disa autoambulanca dhe mjete që transportojnë pacientë, për të garantuar kalimin e tyre të sigurt.

Masat emergjente u morën pasi kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmoi nga terreni se aksi është bllokuar plotësisht për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato normale, për shkak të përkeqësimit të situatës në urë.

Ura në lëvizje, betoni po thërrmohet

Sipas drejtuesit të ARRSH, gjatë 48 orëve të fundit është konstatuar një agravim i ndjeshëm i problematikës. Spostimi i urës ka arritur nga 27 në 29 centimetra brenda pak orësh, ndërsa poshtë strukturës është vënë re thërrmim i betonit – një tregues se fenomeni është ende aktiv.

Autoritetet theksojnë se çedimi nuk është në trupin e urës, por në bazament, i cili po dëmtohet nga gërryerja e vazhdueshme e lumit në një zonë ujëmbajtëse të njohur si Ligata e Bicës. Për këtë arsye është vendosur bllokimi i menjëhershëm i qarkullimit, deri në zbatimin e një mase provizore me ndërtimin e një “by pass”-i anësor.

Policia në terren 24/7

Në këtë situatë, prioritet absolut po u jepet rasteve të urgjencës mjekësore. Patrullat e Policisë po hapin rrugën mes trafikut të rënduar për autoambulancat dhe mjetet që transportojnë të sëmurë, duke shmangur rrezikun dhe vonesat fatale.

Ndërkohë, drejtuesve të mjeteve u kërkohet të shmangin këtë aks, sidomos gjatë fundjavës kur fluksi drejt juglindjes është i lartë. Alternativat për mjetet normale janë devijimet nga Maliq–Berzhan dhe nga ana e Gramshit, ndërsa për mjetet e rënda aktualisht nuk ka një zgjidhje të menjëhershme deri në përfundimin e by pass-it.

Autoritetet pranojnë se nuk mund të japin një afat të saktë për rihapjen e rrugës, por theksojnë se ndërhyrja është e domosdoshme për të garantuar sigurinë e jetës së qytetarëve – veçanërisht në rastet kur çdo minutë është vendimtare për emergjencat shëndetësore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME