Elbasani triumfon në Kupën e Shqipërisë nën vëmendjen e Federatës Europiane të Hendbollit

Më 17 janar, në ambientet e Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani” në qytetin e Elbasanit, Federata Shqiptare e Hendbollit organizoi aktivitetin kombëtar “Kupa e Shqipërisë 2025–2026” për meshkuj, një nga evenimentet më të rëndësishme të kalendarit sportiv të hendbollit shqiptar.

Në këtë aktivitet morën pjesë katër ekipe përfaqësuese të hendbollit vendas: Tirana, Cërriku, Vlora dhe Elbasani. Ndeshjet u zhvilluan në një atmosferë sportive dhe konkurruese, duke dhuruar emocione për publikun e pranishëm dhe duke treguar nivelin në rritje të këtij sporti në vend.

Pas përballjeve eliminatore, në finalen e madhe u përballën ekipet Tirana dhe Elbasani. Finalja u karakterizua nga ritëm i lartë dhe lojë cilësore, por ishte ekipi vendas i Elbasanit që dominoi takimin. Me një paraqitje të shkëlqyer dhe plot meritë, Elbasani triumfoi me rezultatin bindës 32–22, duke u shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë për këtë edicion.

Trofeu iu dorëzua ekipit fitues nga delegati i Federatës Europiane të Hendbollit (EHF), z. Faredin Hashani. Prania e përfaqësuesit të EHF-së i dha këtij aktiviteti një rëndësi të veçantë, duke konfirmuar vëmendjen dhe mbështetjen që federata europiane i kushton zhvillimit të hendbollit shqiptar. Ky fakt përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë për organizimin, nivelin sportiv dhe perspektivën e këtij sporti në Shqipëri, si dhe një nxitje për rritje dhe përfaqësim më dinjitoz në arenën ndërkombëtare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME