Elbasani ka reaguar pas humbjes ndaj Vllaznisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, verdheblutë kanë shpërndarë një video dhe mbishkrim ku akuzon arbitrin për një episod në minutën e 83-të të ndeshjes së zhvilluar në Shkodër.
Në atë moment ai që e ka topin është Lleshi dhe sipas gjyqtarit Doda ka bërë faull, po e vërshëllen me shumë vonesë, pasi verdheblutë po bënin një aksion të rrezikshëm.
POSTIMI I KLUBIT TË ELBASANIT
@b.a.sh.f Klubi ynë paraqet këtë ankesë zyrtare lidhur me vendimmarrjen e arbitrit në ndeshjen e fundit, ku u evidentua një tjetër episod i rëndë që ka ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë dhe rezultatin e takimit.
Në minutën 83 të ndeshjes 1-1 rezultati, skuadra jonë ishte në zhvillim të një aksioni të rregullt, ku lojtari ynë ndodhej i vetëm përballë portës, në një situatë të qartë shënimi. Pa u konstatuar asnjë kontakt të parregullt apo shkelje sipas rregullave të lojës, arbitri vendosi të ndërpresë aksionin duke akorduar faull kundër nesh.
Pamjet filmike dhe analiza objektive e momentit tregojnë qartë se nuk ekziston element faulli që të justifikojë këtë vendim. Ky nuk është një rast i izoluar, por një episod i përsëritur gjatë këtij sezoni, ku vendimmarrje të ngjashme kanë penalizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë skuadrën tonë.
Ne kërkojmë nga ana e Federatës:
- Analizë të detajuar të këtij rasti nga strukturat përkatëse të arbitrimit.
- Vlerësim profesional të performancës së arbitrit në këtë ndeshje.
- Marrjen e masave konkrete për të garantuar barazi dhe korrektësi në trajtimin e klubit tonë në vazhdim.
Klubi ynë respekton institucionin e arbitrimit dhe rregullat e përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, por njëkohësisht kërkon mbrojtjen e integritetit sportiv dhe parimit të barazisë në garë.

