Elbasani mikpret koncertin “Melodies Along the Silk Road” në Javën Kulturore Kineze

Elbasani u bë mbrëmjen e djeshme qendër e një ngjarjeje të veçantë artistike, në kuadër të Javës Kulturore Kineze, aktivitet i organizuar nga Ambasada Kineze në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Teatri “Skampa” priti me duartrokitje të ngrohta koncertin “Melodies Along the Silk Road”, i cili solli për publikun elbasanas një udhëtim muzikor të pasur me traditë, histori dhe emocione.

Artistë të njohur nga Kina, të ardhur posaçërisht për këtë program kulturor, interpretuan një përzgjedhje të veprave vokale dhe instrumentale të muzikës tradicionale kineze, duke krijuar një atmosferë të magjishme në skenë. Tingujt e veçantë të instrumenteve orientale dhe meloditë e trashëguara brez pas brezi i dhuruan spektatorëve një përvojë unike, që ndërthurte artin, shpirtin dhe rrugëtimin e kulturës së lashtë kineze përgjatë “Rrugës së Mëndafshit”.

Publiku, i përbërë nga artëdashës, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve lokale, shijoi një spektakël ku muzika dhe kultura u kthyen në ura miqësie midis dy vendeve. Veç dimensionit artistik, ky aktivitet shërben edhe si dëshmi e marrëdhënieve të ngushta kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës, duke forcuar dialogun dhe shkëmbimin kulturor mes popujve.

Mbrëmja në Elbasan u vlerësua si një nga momentet më të paharrueshme të Javës Kulturore Kineze, duke treguar se arti ka fuqinë të afrojë komunitetet, të ruajë traditat dhe të krijojë horizonte të reja bashkëpunimi kulturor.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME