Elbasani është gati për të bërë autokritikën në kampionat pas humbjes me Vllazninë një javë më parë, një disfatë që ndali ritmin e verdhebluve. Sot elbasanasit do të jenë mysafirë në Vorë, në një transfertë delikate, ku objektivi kryesor mbetet marrja e tri pikëve dhe rikthimi te rezultatet pozitive. Në daljen para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shpreh se skuadra ka reaguar mirë gjatë javës dhe se përgatitjet kanë qenë në nivelin e duhur, pavarësisht disa mungesave të rëndësishme. Sipas tij, atmosfera në grup është pozitive dhe lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes së radhës. “Përgatitjet kanë shkuar mirë dhe situata është pozitive. Pas ndeshjes së fundit kemi analizuar atë që nuk funksionoi dhe kemi punuar për të përmirësuar disa detaje, si në aspektin taktik ashtu edhe në atë psikologjik. Lojtarët kanë reaguar mirë dhe kam parë përqendrim maksimal gjatë gjithë javës. Kemi probleme me Diallo dhe Boje të dëmtuar, që janë mungesa të rëndësishme për ne, por gjithsesi jemi gati. Kemi një grup që punon fort dhe kushdo që do të zbresë në fushë do të japë maksimumin. Kemi besim se do të dalim me një rezultat pozitiv”, u shpreh fillimisht tekniku i skuadrës së Elbasanit.
PRESIONI – Sa i përket presionit për të marrë fitoren, Gvozdenoviç theksoi se ai është pjesë e natyrshme e garës, sidomos në këtë fazë të kampionatit, ku çdo pikë ka peshë të veçantë. “Mund të kemi pak presion, por është normale në futboll dhe unë mendoj se presioni ndonjëherë të ndihmon të jesh më i përqendruar. Çdo javë është një sfidë më vete dhe kërkohet gjithmonë maksimumi, pavarësisht kundërshtarit. Çdo skuadër ka objektivat e veta dhe lufton për to, ndaj nuk është asnjëherë e lehtë për të marrë fitoren. Ne kemi nevojë për pikët dhe jemi të vetëdijshëm për këtë. Do të luftojmë fort në fushë, do të japim gjithçka nga minuta e parë deri në fund. Kjo është detyra jonë dhe shpresoj që me përqendrim dhe disiplinë të arrijmë atë që duam”, vijoi më tej trajneri serb.
KALENDARI – Në lidhje me kalendarin, që në katër javët e ardhshme i vë përballë skuadrave që mbyllin klasifikimin, Gvozdenoviç nuk e konsideron këtë si një faktor lehtësues. Për të, diferencat në kampionat janë minimale dhe çdo ndeshje duhet trajtuar me seriozitet maksimal. “Jo, nuk e shoh si avantazh. E kam thënë edhe më parë që kampionati është shumë i fortë dhe shumë i balancuar. Çdo skuadër luan për të arritur objektivat e saja, qoftë për mbijetesë, për mesin e tabelës apo për pjesën e sipërme. Çdo pikë ka vlerë në këto momente dhe nuk ka ndeshje të lehta. Ne nuk shohim klasifikimin, si ndaj Vllaznisë një javë më parë dhe tani me Vorën, për ne janë njëlloj dhe kanë të njëjtën vlerë, tri pikë. Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht dhe të respektojmë kundërshtarin. Jam i sigurt se edhe nesër do të jetë një ndeshje interesante dhe e fortë, ku detajet mund të bëjnë diferencën”, përfundoi prononcimin e tij Ivan Gvozdenoviç. Elbasani synon të lërë pas zhgënjimin e javës së kaluar dhe të tregojë reagim në fushë, në një moment kyç të sezonit ku çdo hap i gabuar apo i saktë mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e mëtejshme në kampionat.

