Elbasani drejt zgjedhjeve vendore 2027, PD propozon 11 kandidatë për bashkinë ,Deputeti Blendi Himçi dhe Mjeku Gentian Shabanaj mes emrave të propozuar

ELBASAN , 26 nëntor 2026/Albania Express News/-Gara për drejtimin e Bashkisë së Elbasanit në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 ka nisur të marrë formë, ndërsa partitë politike kanë filluar diskutimet dhe konsultimet për emrat që mund të përfaqësojnë në këtë proces elektoral.

Në kampin opozitar, Partia Demokratike dega Elbasan ka evidentuar 11 kandidatura të propozuara nga baza, gjatë takimeve të zhvilluara me strukturat e partisë në degë dhe qendrat administrative. Mes emrave që kanë marrë më shumë propozime janë deputeti demokrat Blendi Himçi dhe mjeku Gentian Shabanaj.

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Elbasan, Alis Narazani, bën të ditur se procesi i konsultimit me demokratët është drejt përfundimit. Pas mbledhjes së propozimeve, emrat do t’i nënshtrohen një faze tjetër diskutimi dhe përzgjedhjeje në strukturat drejtuese të partisë.

Një nga alternativat që demokratët nuk përjashtojnë është edhe mbështetja e një kandidati të pavarur, që vjen nga shoqëria civile. Sipas Narazanit, kjo mundësi lidhet me synimin për të krijuar një front sa më të gjerë opozitar dhe për të arritur një dakordësi me faktorët e tjerë politikë kundër mazhorancës.

Zgjedhjet e ardhshme vendore në Elbasan pritet të zhvillohen në një konfigurim të ri territorial, pasi Bashkisë së Elbasanit do t’i bashkohen edhe territoret e Bashkive të Cërrikut dhe Belshit. Ky ndryshim zgjeron ndjeshëm hapësirën administrative dhe elektorale të garës, duke e bërë përzgjedhjen e kandidatit një proces me rëndësi të veçantë për të gjitha forcat politike.

Pesë muaj para zgjedhjeve, demokratët shprehen optimistë për pjesëmarrjen në garë dhe deklarojnë se objektivi i tyre është rikthimi në drejtimin e Bashkisë së Elbasanit, pas rreth dy dekadash në opozitë.

Ndërkohë, edhe në kampin socialist kanë nisur diskutimet për emrin që do të përfaqësojë mazhorancën në këtë garë. Dy emrat që përmenden në diskutimet politike janë ministri i Bujqësisë, Andis Salla, dhe kryebashkiaku aktual Gledian Llatja, i cili synon një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Elbasanit.

Deri në zyrtarizimin e kandidaturave, procesi mbetet i hapur për diskutime dhe vendimmarrje brenda strukturave të partive politike.

Zgjedhjet e 9 majit 2027 pritet të jenë një test i rëndësishëm politik për Elbasanin, jo vetëm për shkak të përballjes mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe për shkak të hartës së re territoriale, që do të sjellë një realitet të ndryshëm administrativ dhe elektoral.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Futet në rend dite lirimi nga detyra i kreut të AKEP, opozita kundërshton

TIRANË , 26 nëntor 2026/Albania Express News/-Është futur në...

BIRN: Veliaj dhe Spiropali kundër Ramës, sfidë dominimi i tij në PS

TIRANË , 26 nëntor 2026 / Albania Express News...

Peqini, 26 nëntor 1912: Dita kur flamuri kombëtar u ngrit mbi Bashkinë dhe qyteti shpalli vetëqeverisjen

114 vite histori, krenarie dhe atdhedashurie. Genc Gripshi sjell...