ELBASAN ,01 shtator 2026 / Albania Express News /-Me rastin e 15-vjetorit të rënies në krye të detyrës, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan zhvilloi një ceremoni përkujtimore në nderim të Dëshmorit të Policisë së Shtetit, Sabit Caka, duke përkujtuar jetën, kontributin dhe sakrificën e tij në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë Zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Andi Banushi, Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, Prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, familjarë të Dëshmorit, si dhe drejtues e punonjës të Policisë së Shtetit.

Gjatë aktivitetit, të pranishmit nderuan me respekt dhe mirënjohje kujtimin e Sabit Cakës, duke vendosur kurora me lule në nderim të tij. Ceremonia u shoqërua me momente përkujtimore, ku u vlerësua përkushtimi i Dëshmorit ndaj detyrës dhe sakrifica e tij në mbrojtje të rendit dhe sigurisë së qytetarëve.
Rënia e një punonjësi të Policisë në krye të detyrës përbën një nga sakrificat më të mëdha në shërbim të komunitetit. Për Policinë e Shtetit, kujtimi i Dëshmorëve që kanë humbur jetën gjatë ushtrimit të detyrës mbetet pjesë e rëndësishme e historisë dhe traditës së institucionit.

Në këtë përvjetor, u vu në dukje se sakrifica e Sabit Cakës dhe e të gjithë Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të rënë ndër vite në krye të detyrës, mbetet një shembull i përkushtimit ndaj misionit të Policisë dhe një burim frymëzimi për brezat e punonjësve që vijojnë të shërbejnë në mbrojtje të jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.
15 vite pas rënies së tij, kujtimi i Sabit Cakës vijon të mbetet i gjallë te familjarët, kolegët dhe institucioni që ai shërbeu. Sakrifica e tij përbën një mesazh të fortë për rëndësinë e përgjegjësisë, integritetit dhe profesionalizmit në ushtrimin e detyrës.
I përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit!

