EKSKLUZIVE/ Intervistë me z.Alban Daci, personalitet i shquar i Diasporës shqiptare në Itali/ “Edhe unë emigrant si ju”…

Në një kohë kur emigracioni shqiptar mbetet një ndër fenomenet më shqetësuese dhe komplekse sociale të kohës sonë, vjen si një rrëfim i sinqertë, i thellë dhe tronditës libri “Edhe unë emigrant, si ju” i autorit z. Alban Daci, një personalitet i njohur i diasporës shqiptare në Itali, studiues, publicist dhe diplomat i formuar në auditorët më prestigjiozë të Europës. I pajisur me një formim të lartë akademik në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci nga Universiteti i Gjenovës, z. Daci nuk e ka ndalur asnjëherë angazhimin qytetar dhe intelektual për çështjet që prekin kombin shqiptar, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve.

Që nga shkollimi në Tiranë, diplomimet me rezultate maksimale në Itali, e deri te drejtimi i organizatave të rëndësishme të diasporës, rrugëtimi i tij është dëshmi e një vullneti të palëkundur për të ndryshuar realitetin. “Edhe unë emigrant, si ju” nuk është thjesht një libër. Është një thirrje. Një dëshmi. Një zë që ngrihet për të treguar historinë e mijëra shqiptarëve që, në kërkim të një jete më të mirë, braktisin atdheun por nuk harrojnë rrënjët, gjuhën dhe kujtimet. Në një intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, z. Daci ndan me ne mendimet e tij për librin, sfidat si emigrant, identitetin kombëtar dhe përgjegjësinë qytetare të të qenurit shqiptar kudo në botë.

Z. Daci, çfarë ju shtyu të shkruani librin “Edhe unë emigrant, si ju”? Ishte një nevojë personale apo një detyrim moral?

Artikulli im i parë ishte “Kushte shumë të vështira për studentët shqiptarë në Itali”, shkruar kur sapo kisha filluar studimet në Gjenovë. Jetoja në konviktin “Casa dello studente” dhe sfidat ishin të panumërta, një realitet që pak njihej në Shqipëri. Disa studentë që lexuan artikullin qanin me lot. Më 11 shkurt 2008 publikova edhe artikullin tim të parë zyrtar: “Diaspora: duhet të votojmë edhe ne”, kur ende nuk flitej për këtë çështje në mjedisin politik në Shqipëri. Që në moshën 19-vjeçare, kam shkruar në mënyrë të vazhdueshme për emigrantët shqiptarë në Itali, duke reflektuar jo vetëm sfidat, por edhe sukseset e tyre.
Titulli i librit “Edhe unë emigrant, si ju” nuk është i rastësishëm. Është rrëfim i një përvoje personale, por edhe përpjekje për të sfiduar stereotipet mbi emigrantët. Libri është një testament për brezat e rinj për të mos harruar sakrificat dhe realitetin e vështirë të atyre që lanë gjithçka pas për një të ardhme më të mirë.

Sa autobiografik është libri? A jeni ju vetë i pranishëm në rrëfim?

Lexuesit do ta kuptojnë se, edhe pse nuk është një libër autobiografik në kuptimin klasik, unë jam prezent pothuajse në çdo faqe. Megjithatë, fokusi nuk është personalizimi, por pasqyrimi i një fenomeni kompleks në një optikë sa më të gjerë. Secili shqiptar emigrant do të gjejë veten diku në këtë libër.

Cilat janë sfidat kryesore që trajtoni në libër dhe si lidhen me përvojën reale të diasporës shqiptare?

Sfida më e madhe ishte të ruaja profesionalizmin, duke shmangur emocionalitetin personal. Gjithashtu, ka pjesë që janë mbështetur në hulumtim të thelluar, studime dhe literaturë të gjetur në bibliotekat italiane. Kam synuar të shkruaj një libër që të qëndrojë gjatë në kohë, jo vetëm si rrëfim, por edhe si analizë.

Si ndikon formimi juaj në marrëdhënie ndërkombëtare në trajtimin e temës së emigracionit?

Emigracioni është temë ndërkombëtare par excellence. Në libër kam trajtuar edhe aspektet sociologjike dhe antropologjike të marrëdhënieve ndërkombëtare. Emigranti është një subjekt i së drejtës ndërkombëtare,një urë mes vendit të origjinës dhe atij pritës.

Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni te brezat e rinj shqiptarë që sot nisin emigrimin?

Ndër mesazhet kryesore janë: 8 Gushti të shpallet “Dita Kombëtare e Emigrantit” dhe të ndërtohet një “Muze Kombëtar i Emigracionit”. Këto do të ishin simbole të respektit për të gjithë ata që sfiduan detin, shpresën dhe vetminë, për një jetë më të mirë.

Si përjetoni ndarjen mes identitetit shqiptar dhe realitetit perëndimor ku jetoni?

Kam trajtuar gjerësisht çështjet e integrimit, kontributin ekonomik të emigrantëve dhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës. Shqiptarët janë ndër komunitetet më të integruara në Itali qoftë në arsim, punësim apo pjesëmarrje civile.

A ka ndihmuar emigracioni në integrimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?

Pa dyshim. Shqiptarët jashtë vendit janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë shpesh pa qenë në shërbim të shtetit. Gjatë pandemisë së COVID-19 u dëshmua sesa profesionistë shqiptarë të talentuar veprojnë jashtë, të gatshëm për t’i shërbyer vendit të tyre.

Sa i rëndësishëm është angazhimi kulturor në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë?

Për të zgjuar Atdheun, duhet të zgjojmë vetveten. Emigrantët duhet të jenë aktivë në jetën publike dhe politike të vendit ku jetojnë. Brezat e rinj shqiptarë të lindur në Itali kanë potencialin për të përfaqësuar komunitetin edhe në nivelet më të larta të vendimmarrjes.

Cili është një pasazh emocional që ju ka prekur gjatë shkrimit?

Nga eseja “Një natë vjeshte në mërgim”, shkruar më 15 nëntor 2008: “Po mendoj nëse në Shqipërinë time të dashur ka filluar të zbardhë… nëse të dashurit e mi janë zgjuar dhe po përgatiten për ditën. Po mendoj, sepse nuk mund të jem i pranishëm, as kur jeta në Tiranë gjallërohet. Po mendoj nëse politikanët shqiptarë kanë parë ndonjë ëndërr për t’u kujdesur për qytetarët dhe për ta bërë Shqipërinë më të begatë…”

Pse e shkruat këtë libër tani?

Pas afro 20 vitesh në Itali, ndjeva nevojën të lë një dëshmi për ata që do të vijnë pas nesh. Historia e emigracionit shqiptar nuk mund të mbetet në harresë.

A do të ketë një vazhdim të librit?

Vazhdoj të shkruaj. E bëj nga pasioni, jo për përfitim material. Nuk kam marrë asnjëherë pagesë për shkrimet e mia. Shkruaj sepse e ndiej dhe shpesh, kur më vjen frymëzimi, nuk më zë as gjumi.

A do të përkthehet libri në gjuhë të huaja?

Po punoj për përkthimin në italisht. Ky është një mision shumë i rëndësishëm për mua. Dua që lexuesit italianë të njihen me historinë e shqiptarëve përmes një zëri autokton, një libër për shqiptarët, shkruar nga një shqiptar. Kjo do të ndihmonte në rrëzimin e paragjykimeve dhe në forcimin e urave të mirëkuptimit mes dy popujve.

Çfarë reagimesh keni marrë nga lexuesit e parë të librit? A ka ndonjë histori që ju ka prekur veçanërisht?

Libri sapo është publikuar, ndaj është ende herët për të folur për një reagim të gjerë. Megjithatë, mesazhet që kam marrë nga ata që e kanë lexuar të parët kanë qenë jashtëzakonisht emocionale dhe inkurajuese. Disa më kanë thënë se janë ndalur në faqe të caktuara për të reflektuar, të tjerë më kanë shkruar se kanë qarë gjatë leximit ,jo vetëm për përmbajtjen, por sepse janë ndjerë të përfaqësuar.

Z. Daci, ju jeni një nga zërat më të angazhuar të diasporës shqiptare në Itali. Cilat janë ambiciet tuaja afatgjata në këtë rol?

Kam qenë dhe do të jem gjithmonë në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Nuk kam kërkuar kurrë poste apo privilegje, por kam besuar në punë dhe përkushtim. Edhe nëse nuk më jepet një rol formal, do të vazhdoj të jem i pranishëm me mendimin tim, me penën time dhe me angazhimin qytetar. Rëndësi ka të mos harrojmë asnjëherë për kë jemi duke punuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

E shihni veten në të ardhmen në një rol institucional, diplomatik apo politik në Shqipëri apo në Evropë?

Gjithçka varet nga momenti dhe rrethanat. Ajo që është e sigurt, është se nuk ndalem së investuari tek vetja dhe tek formimi im. Kam ndërtuar një profil që përputhet me disa drejtime ,akademike, diplomatike, analitike dhe komunitare. Nëse do të kem mundësinë të kontribuoj në mënyrë institucionale, do ta bëj me përulësi, përgjegjësi dhe dinjitet.

A mendoni se përvoja juaj si emigrant, lider komuniteti dhe studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare ju ka përgatitur për një ndikim më të madh në politikëbërjen shqiptare?

Mendoj se kjo përvojë më ka formuar dhe më ka bërë të kuptoj thellësisht kompleksitetin e shoqërisë sonë. Jam i pranishëm prej vitesh në debatin publik në Shqipëri e Kosovë, në media dhe në botën akademike. Ka ardhur koha që politika shqiptare të përfitojë nga eksperiencat e diasporës ,jo thjesht si “remitanca”, por si kapital njerëzor, intelektual dhe moral.

Cili është vizioni juaj për të ardhmen e diasporës shqiptare?

Vizioni im është një diasporë më e organizuar, më e përfaqësuar dhe më e përfshirë në vendimmarrje. Është thelbësore që shqiptarët jashtë vendit të kenë të drejtën e votës, jo si dhuratë, por si të drejtë themelore. Është koha të rrëzojmë mitet e vjetra që i paraqesin emigrantët si “jashtë realitetit shqiptar”. Ata janë pjesë e pandashme e kombit tonë dhe meritojnë të dëgjohen.

A do të vijoni veprimtarinë letrare? A mund të presim libra të tjerë në të ardhmen?

Ky është libri im i gjashtë. Pesë të parët janë të fokusuara në filozofi politike, lirinë dhe demokracinë. Në këtë libër kam kaluar në një dimension më intim, më njerëzor. Por sigurisht, do të vazhdoj të shkruaj ,qoftë për tema politike, qoftë për çështje shoqërore dhe kulturore. Për mua, të shkruarit nuk është luks ,është domosdoshmëri.

Në një të ardhme të afërt, si e shihni veten: si studiues, autor, diplomat, lider komuniteti apo të gjitha bashkë?

E shoh veten si një përzierje të të gjithave, por mbi të gjitha, si një njeri që përpiqet të mbetet i vërtetë ndaj vetes dhe ndaj idealeve të tij. Misioni më i vështirë është të ruaj “Albanin” që kam qenë gjithmonë ,me të njëjtat parime, pasion dhe përkushtim për çështjen kombëtare.

Si dëshironi të kujtoheni pas shumë vitesh nga komuniteti shqiptar? Si një aktivist, një mendimtar, një shkrimtar, diplomat apo si një qytetar që bëri diferencën?

Do të doja të kujtohem si Albani që erdhi në Gjenovë me ëndrra dhe përkushtim, që jetoi mes shqiptarëve, që nuk pushoi së menduari për Shqipërinë. Një qytetar i thjeshtë që nuk pranoi të heshtë, që foli me ndershmëri, që shkroi me sinqeritet dhe që mbeti gjithmonë në krah të njerëzve të vet.

Intervistoi: Fatmir Popja

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME