EKSKLUZIVE/ Administratori Amarildo Sulejmani sfidë ekipeve të Abissnet Superiores: “AF Elbasani është gati për titull, Europa është vetëm objektivi minimal!”

Foto /Amarildo Sulejmani ,Administrator i AF Elbasani


NGA FATMIR POPJA

ELBASAN ,21 gusht 2026 / Albania Express News/-Pesë vite pas themelimit, AF Elbasani nuk është më thjesht një projekt i ri futbolli pasi brenda një periudhe shumë të shkurtër, klubi verdheblu ka kaluar nga Kategoria e Tretë në elitën e futbollit shqiptar, ka luftuar për titullin kampion, është shpallur nënkampion i Shqipërisë dhe ka rikthyer Elbasanin në arenën europiane.

Tashmë, verdheblutë nisin një tjetër kapitull. Një skuadër e riformatuar, një trajner që ka fituar besimin e drejtuesve, pretendime të qarta sportive dhe një tifozeri që kërkon më shumë se çdo sezon tjetër.

Në prag të startit të Abissnet Superiore, Amarildo Sulejmani, administrator i AF Elbasani, flet ekskluzivisht për “Albania Express News” për rrugëtimin e klubit, objektivat e sezonit të ri, largimet dhe afrimet në merkato, projektin aktual me Ivan Gvozdenoviç, eliminimin europian, marrëdhënien me tifozët, sponsorizimet dhe ambicien për ta kthyer AF Elbasanin në një klub model në Shqipëri.

“Themelimi pesë vite më parë , sukseset nga Kategoria e Tretë te nënkampio dhe Europa”

AF Elbasani festoi 5-vjetorin e themelimit këtë fillim gushti. Si e vlerësoni këtë rrugëtim të tij nga Kategoria e Tretë deri te shpallja nënkampion i Shqipërisë dhe pjesëmarrja në Europë?

Rrugëtimi i verdhebluve nga dita e themelimit deri më sot është vërtet mbresëlënës. Zor se mund të gjesh një ekip në rajon apo edhe në Europë që të ketë arritur kaq shumë suksese në një periudhë kaq të shkurtër.

Sapo kemi lënë pas pesë vitet e para dhe bilanci është shumë pozitiv. Në kohën më të shpejtë të mundshme arritëm të bëhemi pjesë e Abissnet Superiore dhe më pas të shpallemi nënkampionë të Shqipërisë.

Për ne kjo nuk është thjesht një statistikë. Është rezultat i punës së shumë njerëzve, i futbollistëve, trajnerëve, stafit drejtues, financuesve dhe padyshim i tifozëve tanë.

Pesë vite janë pak në jetën e një klubi futbolli. Në një farë mënyre, AF Elbasani është ende një klub i ri. Por kemi bërë hapa shumë të rëndësishëm dhe synimi është që ky progres të mos ndalet këtu.

“Objektivi i parë është Europa, por pretendimet mund të rriten”

Pas nënkampionatit të sezonit të kaluar, a është objektivi i qartë për këtë sezon fitimi i titullit kampion?

Ne jemi një nga klubet më të organizuara të futbollit shqiptar dhe mund të them se, si institucion, shumë gjëra funksionojnë në mënyrë optimale.

Objektivat janë përcaktuar qartë. Fillimisht kemi vendosur që AF Elbasani të kapë një nga vendet e kreut dhe të jetë sërish pjesëmarrës në kupat e Europës.

Ky është objektivi i parë dhe minimal. Natyrisht, me kalimin e javëve, nëse rezultatet dhe paraqitjet do të jenë në nivelin që presim, objektivat mund të bëhen edhe më ambicioze.

Ne kemi pretendime. Nuk hyjmë në kampionat për të qenë pjesëmarrës. Hyjmë për të konkurruar dhe për të dhënë maksimumin.

“Euforia dhe mungesa e eksperiencës na penalizuan”

Vitin e kaluar titulli ishte shumë pranë, por disa humbje në fund ndaj skuadrave të renditjes së poshtme ndryshuan garën. Ku mendoni se gaboi AF Elbasani?

Kemi treguar se ishim një ekip shumë i mirë. Kemi kryesuar me meritë deri në fund dhe kemi qenë në një pozicion ku titulli ishte realisht shumë pranë dhe plotësisht në duart tona.

Mendoj se euforia se e kishim arritur suksesin para kohe, së bashku me mungesën e eksperiencës së nevojshme për të mirëmenaxhuar ndeshjet e fundit, na penalizoi.

Mos të harrojmë se sapo kemi mbushur pesë vite nga themelimi. Jemi ende si ai fëmija i vogël që po rritet dhe po mëson.

Por tani besoj se koha është në favorin tonë. Kemi kaluar një eksperiencë shumë të rëndësishme dhe kemi mësuar prej saj. Kjo eksperiencë duhet të na shërbejë për të mos përsëritur të njëjtat gabime.

“Buxheti AF Elbasanit është i mjaftueshëm dhe i sigurt”

Sa është rritur buxheti i klubit këtë sezon dhe sa është investuar për ndërtimin e skuadrës së re?

AF Elbasani ka një buxhet të mjaftueshëm dhe, mbi të gjitha, të sigurt për ta përballuar garën me qetësi nga fillimi deri në fund.

Dua ta them publikisht këtë, sepse është shumë e rëndësishme për një klub futbolli .Financuesit e AF Elbasanit kanë qenë seriozë dhe korrektë në çdo aspekt me lojtarët, stafin drejtues dhe të gjithë aktorët e tjerë.

Të gjithë ata që kanë qenë dhe vazhdojnë të punojnë me ne janë të kënaqur. Kjo është një bazë shumë e rëndësishme për të ndërtuar një klub serioz.

Nuk dua të flas për shifra konkrete, por mund të them me bindje se AF Elbasani e përballon sezonin me siguri financiare.

“Largimet e titullarëve ishin edhe pasojë e suksesit të skuadrës dhe … ”

Pse u vendos për një rinovim pothuajse të plotë të ekipit pas sezonit të kaluar dhe pikërisht para ndeshjeve europiane?

Pothuajse të gjithë titullarëve u përfunduan kontratat me mbylljen e kampionatit.

Ecuria e shkëlqyer e ekipit, falë edhe kontributit të tyre, rriti ndjeshëm pretendimet financiare të futbollistëve. Ata e shfrytëzuan maksimalisht performancën e tyre në favorin e karrierës dhe interesave të tyre.

Ne nuk kemi asnjë peng për këtë. Përkundrazi, ndihemi krenarë që ata kanë lënë gjurmë tek AF Elbasani dhe u urojmë suksese kudo që do të luajnë.

Futbolli është edhe një treg. Kur një lojtar performon mirë, vlera e tij rritet. Kjo është pjesë e natyrshme e këtij sporti.

“Merkatoja nuk ka përfunduar, po diskutojmë për 2-3 lojtarë cilësorë”

A ka ende ndonjë goditje të madhe në merkato apo skuadra është e kompletuar?

Skuadra u kompletua në kohë rekord pas përfundimit të kontratave të titullarëve të sezonit të kaluar.

Të gjithë e panë këtë edhe në dy ndeshjet që zhvilluam në kupat e Europës. Eliminimi ishte dramatik dhe erdhi pas penalltive, por skuadra tregoi se ishte konkurruese.

Megjithatë, ne ende jemi aktivë në merkaton e verës. Drejtori Sportiv Elton Guranjaku dhe trajneri Ivan Gvozdenoviç po diskutojnë për dy apo tre lojtarë shumë cilësorë.

Shpresojmë që përpjekjet e tyre të konkretizohen. Nuk dua të jap emra apo detaje para kohe, por merkatoja për AF Elbasanin nuk është mbyllur.

Trajneri Ivan Gvozdenoviç, njeriu i besuar i projektit

Çfarë prisni nga trajneri Ivan Gvozdenoviç dhe a e ka ai mbështetjen e plotë të klubit për një projekt afatgjatë?

Gvozdenoviç është për momentin një nga trajnerët më të mirë në Shqipëri.

Ne duam që ai të japë të paktën aq sa ka dhënë deri tani. Ai ka vlera në çdo aspekt dhe e vlerësoj veçanërisht për profesionalizmin në stërvitje, ekuilibrat dhe harmoninë që ka vendosur në marrëdhëniet mes futbollistëve, stafit teknik dhe drejtuesve.

Gvozdenoviç e ka treguar se flet vetëm me vepra.

Ai e ka mbështetjen tonë të plotë. Kontrata është njëvjeçare, por nëse gjërat shkojnë mirë dhe objektivat e të gjithëve janë në sinkron, padyshim që bashkëpunimi mund të jetë afatgjatë.

Në Shqipëri, që nga themelimi i AF Elbasanit, kemi pasur dy trajnerë shumë të mirë, Nevil Deden dhe Roberto Bordin, të cilët më pas i lanë vendin Gvozdenoviçit. Me të ne u shpallëm nënkampionë dhe vazhdojmë bashkëpunimin.

Ai është trajner i sukseseve dhe shpresojmë që gjërat të shkojnë shumë mirë edhe në këtë kampionat.

“Trajnerit te AF Elbasani nuk i ndërhyn askush në punën e tij ”

Në një klub me pretendime, sa autonomi ka trajneri në vendimmarrje?

Trajnerët tek AF Elbasani kanë kushte komode pune. Askush nuk ndërhyn në punën e tyre.

Trajneri merr vendimet dhe ai, bashkë me futbollistët, merr edhe meritat, por edhe përgjegjësitë.

Ne kemi për detyrë t’u plotësojmë detyrimet kontraktuale dhe të krijojmë kushtet më të mira të mundshme. Nga ana tjetër, ata duhet ta justifikojnë këtë me punë dhe rezultate sa më pozitive.

Ky ka qenë dhe do të jetë parimi ynë.

Europa: Nga ëndrra te një objektiv konkret

Dy ndeshjet europiane ishin pozitive. A është synimi që AF Elbasani në të ardhmen të mos marrë vetëm pjesë në Europë, por të kalojë disa ture dhe të afrohet me fazën e grupeve?

Absolutisht. Edhe në ndeshjet ndërkombëtare mungesën e eksperiencës e paguam shtrenjtë.

Skuadra ishte riformatuar dhe përballeshim me një nivel tjetër të konkurrencës. Megjithatë, pjesëmarrja në Europë na dha një eksperiencë shumë të rëndësishme.

Nuk duam që Europa të jetë thjesht një destinacion ku shkojmë për të marrë pjesë. Duam që të bëhemi një ekip që konkurron, kalon ture dhe gradualisht afrohet me fazat e avancuara.

Kjo kërkon eksperiencë, stabilitet dhe investim. Ne po punojmë pikërisht në këtë drejtim.

Tifozët: “Elbasani pa tifozët nuk është i njëjti”

AF Elbasani ka një nga tifozeritë më të mëdha dhe më të zjarrta në Shqipëri. Sa ndikojnë tifozët në objektivat dhe rezultatet e klubit?

Atmosfera e krijuar nga tifozëria ka qenë fantastike

Mbështetja e tyre ka pasur ndikim shumë pozitiv, si në ndeshjet në shtëpi, ashtu edhe në transfertë. U jemi mirënjohës dhe tepër falënderues.

Një klub futbolli nuk është vetëm administratë, trajnerë dhe futbollistë. Klubi është edhe komuniteti që e mbështet.

Kur Elbasani Arena mbushet dhe tifozët krijojnë atë atmosferë që kemi parë, futbollistët e ndiejnë. Është një avantazh shumë i madh.

“Po përgatisim risi për tifozët”

Abonimet, biletat, parkingu, transfertat e tifozëve, hyrja falas për gratë, vajzat dhe fëmijët – çfarë risish do të ketë këtë sezon?

Këto janë elementë tregues të një klubi bashkëkohor.

Ne nuk duam që tifozi të vijë vetëm të shohë 90 minuta futboll. Duam që dita e ndeshjes të jetë një eksperiencë.

Jemi duke menduar për risi të reja dhe do t’i prezantojmë së shpejti.

Synimi është që familjet, fëmijët, gratë, vajzat ,të rinjtë dhe të gjithë tifozët të ndihen sa më mirë në Elbasan Arena.

Një klub model

Uniformat e reja, dyqani zyrtar, kushtet e akomodimit dhe stërvitjes tregojnë një klub gjithnjë e më të organizuar. Cili është vizioni juaj për ta kthyer AF Elbasanin në një klub model në Shqipëri?

Natyrisht që një klub është model kur ka infrastrukturë, buxhet, mirëmenaxhim dhe gjithçka tjetër që i duhet një institucioni sportiv.

Ne po punojmë pikërisht në këtë drejtim.Seriozitetin klubi verdheblu e ka treguar dhe kështu do të jetë gjithmonë.

Nuk mjafton të kesh një ekip të mirë. Duhet të ndërtosh një institucion të qëndrueshëm.

Sponsorizimet: “Bizneset e Elbasanit duhet të jenë pranë klubit”

Ligji i sponsorizimeve për sportin është shumë i diskutuar. Çfarë do të ndryshonte për AF Elbasanin nëse do të zbatohej në mënyrë efektive?

Ligji i sponsorizimit është një domosdoshmëri. Duhet miratuar sa më parë, sepse do të kishte ndikim shumë pozitiv në ecurinë e sportit dhe sidomos të futbollit, që ndiqet nga dhjetëra e qindra mijëra njerëz.

Aktualisht shumë biznese hezitojnë të financojnë sportin për shkak të mungesës së një kuadri të qartë ligjor dhe efektiv të sponsorizimit.

Por dua të shfrytëzoj këtë intervistë për t’u bërë një thirrje bizneseve të mëdha të Qarkut të Elbasanit.

Janë me qindra dhe besoj se, pavarësisht mungesës së këtij ligji, mund të mbështesin financiarisht, qoftë edhe modestisht, AF Elbasanin.

Ky klub po e bën krenar jo vetëm qytetin tonë, por gjithë Shqipërinë e Mesme dhe më gjerë.

Do të dëshironim që biznesi lokal ta shikonte AF Elbasanin si një aset të qytetit dhe një mundësi për të promovuar emrin e tij përmes sportit.

Duam të krijojmë turizëm sportiv në Elbasan”

Ju keni folur edhe për një lidhje më të fortë me ekipet e tjera të Qarkut të Elbasanit. Çfarë synoni konkretisht?

Ftojmë edhe tifozërinë e qyteteve fqinje të vijë në Elbasan Arena, të mbështesë verdheblutë dhe të përjetojë emocionet e magjishme që dhuron futbolli.

Duam të ngjallim një formë të shkëlqyer të turizmit sportiv dhe të forcojmë bashkëpunimet me ekipet e futbollit të Qarkut të Elbasanit.

Me Sopotin e Librazhdit e kemi filluar këtë bashkëpunim.Çdo futbollist i AF Elbasanit që nuk ka hapësirë aktivizimi për shkak të konkurrencës së fortë në skuadrën tonë, ka një mundësi të artë të luajë me librazhdasit në Kategorinë e Parë.

Kjo është pozitive për të gjithë. Ne zhvillojmë lojtarët, ata marrin minuta dhe ekipet e tjera përfitojnë nga futbollistë cilësorë.

Formula e Superiores dhe Final Four

Si e komentoni formulën e re të propozuar për Abissnet Superiore? Jeni pro apo kundër Final Four?

Ne respektojmë formulën e përcaktuar nga FSHF

Gara është e njëjtë për të gjithë dhe ne duhet të përqendrohemi te puna jonë, te skuadra dhe te rezultatet.

Por a është e drejtë që një skuadër që mund ta mbyllë kampionatin me shumë pikë avantazh ta humbasë titullin në disa ndeshje të Final Four?

Gara është e njëjtë për të gjithë. Ne e pranojmë dhe e respektojmë formatin e përcaktuar.

Në fund, duhet të jemi ne ata që përshtatemi më mirë me rregullat e garës.

“Europa është objektivi minimal”

Sa është objektivi minimal i AF Elbasanit këtë sezon: Europë, podium apo vetëm titulli kampion?

Pjesëmarrja në garat europiane është objektivi minimal i verdhebluve. E theksova edhe më herët.

Ne jemi ekip me pretendime dhe mendoj se jemi edhe më të mirë si ekip sesa ai i kampionatit që lamë pas.

Nga ai pengu ynë mbeten ndeshjet me Bylisin në Ballsh dhe me Tiranën. Një barazim në njërën prej këtyre ndeshjeve mund të na kishte dhënë titullin kampion.

Por ndoshta kështu ishte shkruar nga Zoti.

Tani kemi një tjetër mundësi. Nuk duhet të shohim pas, por të mësojmë nga ajo që ndodhi.

Edhe një pyetje që ndoshta djeg : A do ishte dështim mosmarrja e titullit këtë edicion , apo …?

Dhe pyetja e fundit, më pikantja: Nëse në fund të sezonit titulli nuk vjen në Elbasan, a do ta konsideroni këtë një dështim dhe kush do të mbajë përgjegjësinë?

Ne futemi në garë për të dhënë më të mirën dhe për të marrë maksimumin.

Nuk mund të flasim sot për dështim apo përgjegjësi, kur kampionati ende nuk ka filluar.

Ajo që mund të them është se kemi krijuar kushtet, kemi ndërtuar skuadrën, kemi trajnerin dhe stafin, kemi mbështetjen financiare dhe kemi një tifozeri fantastike.

Tani është koha që të gjithë bashkë të bëjmë maksimumin.

Mesazhi i fundit “AF Elbasani është gati”

Në prag të startit të kampionatit, cili është mesazhi juaj për futbollistët, tifozët dhe të gjithë sportdashësit shqiptarë?

Së pari dua të falënderoj të gjithë për mundësinë që më është dhënë për të komunikuar me publikun përmes medias.

Dua të uroj të gjithë futbollistët, ekipet, stafet drejtuese dhe financuesit e klubeve të futbollit në Shqipëri.

Uroj që të kemi një garë dhe paraqitje sa më dinjitoze nga çdo ekip, në mënyrë që kampionati i çdo niveli të jetë sa më i bukur, interesant dhe të dhurojë spektakël në fushë dhe në tribuna.

Një urim special e kam për ekipin tim, AF Elbasani.

Ne jemi gati.

Jemi gati për të qenë një nga konkurrentët seriozë të Abissnet Superiores.

Dhe mbi të gjitha, duam që tifozët dhe bashkëqytetarët tanë të jenë krenarë për këtë ekip.

AF Elbasani ka vetëm pesë vite histori, por shumë ambicie për të ardhmen.

Tani duhet të flasim në fushë.

Futbolli fillon sërish. Dhe AF Elbasani ka ardhur për të konkurruar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME