Eduard Ndocaj, një histori suksesi e emigracionit shqiptar që frymëzon brezat

Nga Fatmir Popja

Nëse ka një emër që mishëron kurajën, përkushtimin dhe forcën e shpirtit shqiptar në emigracion, padyshim një prej tyre është Eduard Ndocaj. Ai është një figurë që ka kaluar përmes furtunave të jetës, për të ndërtuar një histori që sot ndriçon si simbol i suksesit të arritur me punë, ndershmëri dhe sakrificë.

Nga Manatia e vogël, drejt botës së madhe
Eduard Ndocaj lindi më 18 shtator 1975 në fshatin Manati të Lezhës, një vend me histori dhe traditë që do të mbetej gjithmonë i shenjtë në shpirtin e tij. Fëmijëria e Ndocajt ishte e lidhur ngushtë me vendlindjen, me tokën e të parëve , me familjen dhe me rrënjët shqiptare. Shkollimin fillestar e kreu në Manati dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme të përgjithshme në qytetin e Lezhës.Si shumë të rinj shqiptarë të asaj kohe i shtyrë nga vështirësitë ekonomike dhe mungesa e perspektivës Eduard Ndocaj u largua drejt Greqisë ,një udhëtim ky mjaft i vështirë, por që s’ishte i suksesshëm, por që forcoi vullnetin e tij për të mos u dorëzuar kurrë në jetë para sfidave. Në vitin 1996 pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Pashaliman të Vlorës si polumbar, Eduard Ndocaj e mori rrugën drejt Italisë në kërkim të një jete më të mirë.

Nga emigrant, në model suksesi në Lombardi
Fillimet e jetës së Eduard Ndocajt në emigracion ishin të dhimbshme dhe të vështira. Ai nuk e ka fshehur kurrë se mbërriti në Itali me gomone duke rrezikuar jetën në det si shumë të rinj shqiptarë të atyre viteve. Por pavarësisht vështirësive të jetës në emigracion falë punës së jashtëzakonshme ai arriti tja dalë me sukses . Në pak vite falë ambicies dhe këmbënguljes u integrua më së miri dhe krijoi sipërmarrjen e tij në Itali.E ndau jetën me njerëzit e dashur dhe kujtimet e vendlindjes, për të ndërtuar një realitet të ri në një vend të huaj, ku shpesh emigrantët shqiptarë përballeshin me paragjykime e etiketime. Por Eduard Ndocaj e kuptoi herët,vetëm puna e ndershme dhe karakteri i fortë mund të ndërtojnë ura dhe të thyejnë paragjykimet.Në Itali, përmes një rruge të gjatë plot sakrifica, ai ia doli të ngrejë një biznes të suksesshëm në Lombardi. Në vitin 2008 u nderua me medalje ari nga Ministria e Ekonomisë italiane ,një nderim që e shpalli zyrtarisht një ndër sipërmarrësit më të suksesshëm në atë rajon.
Nuk u ndal me kaq. Në vitin 2012 pas përfundimit të studimeve pesëvjeçare në Universitetin PACIOLI, ai u diplomua si Gjeometër, ndërsa në vitin 2019 përfundoi edhe Shkollën e Lartë për Inxhinieri Ambientale në Milano. Një shembull i gjallë se sakrifica, puna dhe dëshira për t’u zhvilluar nuk kanë kufij.

Nga emigrant në Itali, përfaqësues i popullit në Kuvendin e Shqipërisë
Në vitin 2015, Eduard Ndocaj kthehet në Shqipëri jo vetëm si një model suksesi ekonomik, por edhe si një zë i diasporës dhe i qytetarëve të thjeshtë. Ai u bë deputet i Republikës së Shqipërisë, një detyrë që e ushtroi me dinjitet , me ndershmëri dhe pasion për t’i dhënë vendit një drejtim më të mirë. Ndocaj është nipi i Kol Gjok Dedës, patriotit që udhëhoqi ngritjen e flamurit në Lezhë më 1912. Si pasardhës i kësaj familjeje me rrënjë të thella në historinë kombëtare, Eduardi ndjen mbi supe jo vetëm përgjegjësinë e trashëgimisë, por edhe misionin për të vijuar rrugën e nderit.

Familja, forca që nuk e la kurrë të dorëzohej
Për Eduard Ndocajn, familja ka qenë dhe mbetet themeli i jetës. Në çdo rrëfim të tij, në çdo intervistë apo fjalë publike, ai thekson se nuk do të kishte arritur asgjë pa mbështetjen e bashkëshortes së tij, Valentinës me të cilën është martuar që në vitin 1999. Ajo ka qenë bashkudhëtare në çdo etapë të jetës në vitet e vështira të emigracionit, në ngritjen e biznesit, në sfidat e jetës politike dhe në ditët e lavdisë “Valentina ka qenë shtylla ime, njeriu që më ka dhënë gjithmonë kurajë. Në çdo hap që kam hedhur, e kam pasur pranë”, shprehet ai me krenari. Tre fëmijët e tyre janë pasuria më e madhe që Eduardi përmend sa herë flet për të ardhmen. “Jam rritur me sakrifica dhe nuk dua që fëmijët e mi të trashëgojnë një vend që u mohon dinjitetin. Dua që ata të krenohen që janë shqiptarë, jo vetëm me fjalë, por edhe me realitetin që Shqipëria duhet t’u ofrojë brezave të rinj.”

Kritika të hapura për politikën shqiptare: “Në Shqipëri mungon vizioni i qartë qeverisës, mungon përgjegjësia”

I ardhur nga emigracioni dhe i lidhur përjetësisht me njerëzit e thjeshtë, Eduard Ndocaj nuk është kursyer kurrë në kritikat ndaj klasës politike shqiptare. Ai është ndër të paktët ish-deputetë që ka folur pa doreza për prapambetjen institucionale, për politikat e dështuara dhe për mungesën e moralit në qeverisje.“Shqipëria nuk vuan nga mungesa e resurseve, por nga mungesa e njerëzve të ndershëm që dinë të udhëheqin. Politika shqiptare është kthyer në një arenë interesash personale dhe jo në një shërbim për qytetarët. Qeveritë edhe pse prej kohësh ndërrohen, mentaliteti mbetet i njëjtë, arrogant, përjashtues dhe i papërgjegjshëm”, shprehet ai. Ndocaj i ka kritikuar hapur qeveritë që sipas tij, kanë shfrytëzuar emigrantët vetëm si burim remitancash, pa i përfshirë realisht në proceset e zhvillimit. “Na duan për vota dhe për paratë që sjellim, por nuk na japin zë, nuk na japin dinjitet.”

Një apel për politikën e nesërme: “Koha e ndryshimit është tani”

Në mesazhet e tij të fundit publike, Eduard Ndocaj u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë të mos largohen, por të luftojnë për ta ndryshuar vendin e tyre nga brenda. “Shqipëria nuk është një vend i humbur, por është një vend i lënë në mëshirë të një politike pa drejtim. Ne kemi nevojë për njerëz që nuk e shohin pushtetin si privilegj, por si mision për të përmirësuar jetën e tjetrit.”Ai vazhdon të besojë se shpresa për rilindje të vërtetë ekziston, për sa kohë ka njerëz që si ai, nuk e harrojnë kurrë nga vijnë dhe përse luftojnë. Dhe mbi të gjitha, Eduardi është i bindur se e vetmja rrugë drejt suksesit është ajo që kalon përmes punës, ndershmërisë dhe dashurisë për atdheun.

Zemra në Manati, frymëzim për të gjithë shqiptarët
Megjithëse Eduard Ndocaj jeton aktualisht në Itali me bashkëshorten Valentina dhe tre fëmijët e tyre, ai zgjedh shpesh të rikthehet në vendlindje, në Manatinë që e formoi dhe që sot është pjesë e identitetit të tij. Ai nuk joshet nga dritat e Milanos, por nga rrënjët e fshatit që e rriti. Zgjedh të jetojë pranë tokës së prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve që e bëri njeri të fortë dhe të kujtojë se gjithçka fillon nga përulësia dhe guximi për të nisur nga zeroja. “Me punë dhe vetëm me punë, arrihet gjithçka!”Kjo është motoja që e ka udhëhequr gjatë gjithë jetës së tij. Eduard Ndocaj nuk kërkoi asnjëherë të bëjë mrekulli, por të jetë korrekt, i përkushtuar dhe i sinqertë në çdo hap të tij. Ai është një shembull për të gjithë të rinjtë shqiptarë ,një dëshmi se suksesin nuk ta sjell fati, por guximi për të ndryshuar, këmbëngulja për të mos u dorëzuar dhe besimi në vetvete dhe tek Zoti. Sot, Eduard Ndocaj nuk është vetëm një emër i njohur në politikë apo biznes. Ai është një histori shqiptare suksesi në emigracion, një dritë që ndriçon rrugën e shumë të tjerëve që kërkojnë të ndërtojnë jetën e tyre me ndershmëri. Dhe për këtë, ai meriton respekt, vlerësim dhe duartrokitje.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Dumani: Identifikuam 16 grupe kriminale të rrezikshme, 11 milionë euro kriptomonedha të bllokuara

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit...

Ministri Salla: Shqipëria në fazë vendimtare të integrimit evropian për bujqësinë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla...

Orkestra Simfonike e TKOBAP-së në Festivalin Respighi të Bolonjës

Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe...