Ajo nuk sheh botën, por e ndien dhe e përjeton në mënyrën më të thellë dhe të bukur që ekziston me shpirtin. Bukurie Maloku është një nga ato femra që, pa pasur nevojë për zhurmë, ndriçon thellë në mendjet dhe zemrat e njerëzve. Shkrimtare, poete, aktiviste sociale, moderatore radioje, dhe mbi të gjitha, një frymëzim i gjallë për të gjithë ata që kërkojnë të jetojnë me kuptim, pavarësisht sfidave që u vë përballë jeta.
Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, Bukuria na fton të hyjmë në botën e saj, ku drita nuk vjen nga sytë, por nga forca e fjalës, e dashurisë dhe e karakterit.”
Znj. Bukurie, jeni një model i jashtëzakonshëm frymëzimi. Si e përkufizoni ju vetë “forcën” që ju ka shoqëruar në jetë?
Forca ime ka lindur nga dashuria për jetën. Nuk kam parë me sy, por kam ndjerë me zemër dhe me shpirt. Kur përballesh me errësirën fizike, zbulon dritën e brendshme që të udhëheq. Ajo është forca ime.
Jeni lindur e rritur në fshatin Godolesh dhe tani jetoni në Mengel. Si ka ndikuar jeta në këto vende në formimin tuaj shpirtëror dhe artistik?
Jeta në fshat më ka dhënë qetësinë për të dëgjuar natyrën dhe njerëzit. Ndikimi i natyrës, fjalët e thjeshta të njerëzve, ajri i pastër, janë frymëzime që kanë formësuar ndjeshmërinë time letrare.

Si ka qenë rrugëtimi juaj arsimor, nga instituti i nxënësve që nuk shikojnë, deri te diploma dhe masteri në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit?
Ka qenë një rrugëtim me shumë sfida, por edhe me shumë mbështetje nga mësuesit dhe familja dhe sidomos nga nëna ime. Kur ke vullnet, pengesat bëhen ura. Kam dashur të mësoj dhe të kontribuoj, prandaj kam ecur përpara.
Pse zgjodhët të studioni letërsi dhe më pas edhe shkencat sociale? Çfarë lidhjeje shihni mes tyre?
Letërsia më dha dritën e fjalës, kurse shkencat sociale më mësuan si të kuptoj njeriun në thellësi. Të dyja janë mënyra për të ndërtuar ura mes njerëzve dhe për të shëruar shpirtra.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj dhe si e keni përballuar?
Ka pasur shumë momente të vështira në jetë, sidomos kur kam ndjerë mosbesim nga të tjerët për shkak të verbërisë sime. Por unë gjithmonë kam zgjedhur të reagoj me krijimtari, jo me dorëzim.
Librat tuaj mbajnë tituj shumë të thellë si “Kërkoj dritaren e dritës” apo “Ngjyrat e botës sime”. Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni përmes tyre?
Dua t’u tregoj njerëzve që bota nuk ka vetëm një formë të dukshme. Ajo është e pasur me ndjenja, me ndjeshmëri, me shpresë. Unë flas për ngjyra që ndihen, jo që shihen prej me meje.

Si nisi rrugëtimi juaj si moderatore në radiot lokale të qytetit të Elbasanit? Çfarë përfaqësonte për ju kjo eksperiencë?
Rrugëtimi im në radiot lokale nisi si një dëshirë për të qenë zëri i atyre që nuk dëgjohen shpesh. E kisha ëndërr dhe fatmirësisht u bë realitet falë një prej gazetarëve më të njohur të Qarkut të Elbasanit emrin e të cilit e dinë të gjithë sepse është kthyer në ikonë e një Televizioni prestigjoz informativ, si edhe dashamirësisë së z.Taulant Pilavi i cili është Administratori i Radio Klea, një prej radiove lokale që ka bërë histori në fushën e kësaj lloj medieje. Kjo radio më hapi dyert dhe administratori i saj z.Pilavi më krijoi kushte pune ideale aty. Emisioni im i parë në Radio Klea, ishte me titullin , “Përmes sfidave të jetës” dhe u kthye një një cikël emisionesh ku pati dhjetra e dhjetra të ftuar.Më vonë, pata një tjetër eksperiencë të shkëlqyer në Radio Albania FM ku drejtova emisionin, “Të dimë gjithçka”. Të dyja këto përvoja më mësuan se fjala është fuqi,një fuqi që duhet përdorur për të ndriçuar dhe për të frymëzuar.
Aktualisht jeni pjesë e radios online “Shkëlzeni”, ku drejtoni emisione të ndryshme. Na tregoni më shumë për këtë eksperiencë vullnetare dhe misionin tuaj aty.
Radio “Shkëlzeni” është një projekt shumë i dashur për mua. Është një radio online, tërësisht vullnetare, ku drejtoj emisione sociale, kulturore dhe argëtuese. Këtu flasim për artin, sfidat sociale dhe nxisim dashurinë për kulturën. Është misioni im për të përhapur mirësi, vetëdije dhe frymëzim.
Si ndiheni kur jeni pas mikrofonit, duke komunikuar me dëgjuesit përmes radios?
Radioja është si një urë që lidh zemrën time me botën. Pas mikrofonit nuk jam thjesht një moderatore, jam një dëgjuese, një mike, një zë që kërkon të përcjellë ndjesi, mendim dhe mirësi.

Në vitin 2024 u nderuat me titullin “Ambasadore e Paqes”. Çfarë domethënie ka për ju ku vlerësim?
Është një nga nderimet më të mëdha që kam marrë. Paqja është mision i shpirtit tim. Dua të jap paqe me fjalën, me artin dhe me dashurinë që përhap.
Keni marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore e artistike. Si ndiheni në skenë?
Ndjehem e gjallë. Edhe pse nuk shoh dritat e saj, ndjej dritën që vjen nga rezonanca emocionale e publikut, nga duartrokitjet dhe përqafimi shpirtëror që më kthehet pas.
Cili është mesazhi juaj për të rinjtë, veçanërisht për ata që përballen me sfida të ndryshme jetësore apo fizike?
Mos e shihni sfidën si pengesë, por si forcë. Brenda çdo njeriu fshihet një dritë që duhet vetëm ta besosh dhe ta ndezësh. Besoni tek vetja dhe mos ndaloni së ëndërruari.

A jeni duke punuar për ndonjë libër të ri? Çfarë mund të na tregoni për projektet e ardhshme?
Po, gjithmonë jam në proces krijimi. Kam disa ide që po zhvillohen, poezi, ese dhe tregime të reja. Dëshira ime është të ndaj vazhdimisht dritë me lexuesit.
Dhe në fund… Si do ta përmblidhnit jetën tuaj me një fjali?
Një udhëtim në errësirë, por me zemër plot dritë që nuk ndalet së kërkuari më shumë jetë.

Fjala e fundit…
Në një botë ku shpesh mbivlerësohet pamja dhe anashkalohet thelbi, unë dua të jem një thirrje e qartë për t’u kthyer te vlerat, te thellësia, te humanizmi dhe fuqia e mendjes. Unë dëshiroj të jem një dritare e hapur drejt së bukurës së padukshme. Dua të jem një shembull që nuk kërkon mëshirë, por duartrokitje. Dua të jem ajo femra që nuk ka nevojë për zë të lartë, sepse e zemra ime dëgjon gjithçka.
Intervistoi: Fatmir Popja



