Një situatë e pazakontë është regjistruar këtë të dielë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Cërrikut. Kandidati i pavarur për kryetar bashkie i mbështetur nga PD , Amarildo Hoxha, i cili sot po votohej nga bashkëqytetarët e tij, kishte zgjedhur të shfaqej për disa orë në stadiumin “Elbasan Arena”, ku u zhvillua ndeshja e Abissnet Superiores midis AF Elbasanit dhe Egnatias.
Hoxha, përveç se kandidat për kryetar bashkie, është edhe mjek i ekipit të AF Elbasanit, ndaj kishte lënë për pak kohë monitorimin e procesit të votimit për t’iu bashkuar verdhebluve në detyrën e tij profesionale. Prania e tij në stadium tërhoqi vëmendjen e tifozëve dhe qytetarëve, pasi rrallë ndodh që një kandidat për kryetar bashkie në ditën e votimeve të jetë njëkohësisht pjesë aktive edhe e një ndeshjeje futbolli.
Më herët gjatë paradites, Hoxha kishte ushtruar të drejtën e votës dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve të Cërrikut të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor.
“Iu bëj thirrje qytetarëve të votojnë masivisht. Kushdo që të fitojë, uroj t’i shërbejë Cërrikut me ndershmëri. Uroj dhe shpresoj të mos ketë ndërhyrje nga jashtë. Për momentin, nuk kemi probleme,” – u shpreh ai për gazetarët.
Sipas të dhënave nga KZAZ-ja e Cërrikut, pjesëmarrja në votime në këtë bashki ishte e ulët.Procesi u zhvillua në qetësi, ndërsa gara u zhvillua mes tre kandidatëve: Amarildo Hoxha (i pavarur i mbështetur nga PD ), Eligert Hima (Shqipëria Bëhet) dhe Florenc Doka (Partia Socialiste).
Në një ditë kur fati i drejtimit të bashkisë vendoset në kutitë e votimit, kandidati Hoxha zgjodhi të përçojë një mesazh të veçantë: përkushtimin ndaj profesionit, sportit dhe qytetit të tij ,një shembull që rrallë shihet në politikën lokale shqiptare.

