LIBRAZHD,10 maj 2026/Albania Express News/Pas triumfit dhe rikthimit të shumëpritur të Sopotit në Kategorinë e Parë pas 12 vitesh mungesë, ka ardhur edhe reagimi emocionues i administratorit të klubit, Agron Gega, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar të gjithë ata që kontribuan në këtë sukses historik për futbollin librazhdas.
Gega e cilësoi sezonin e sapombyllur si një rrugëtim të vështirë, por të mbushur me besim, punë dhe pasion. Ai kujtoi momentin kur mori drejtimin e klubit, ndërsa shumë njerëz e konsideronin objektivin për ngjitjen në Kategorinë e Parë si një “mision të pamundur”. Megjithatë, sipas tij, besimi tek puna e ndershme dhe përkushtimi i grupit bëri që Sopoti të arrinte një sukses të madh.
Administrator i klubit theksoi se që në fillim të sezonit nisi puna intensive për ndërtimin e skuadrës, duke bërë ndryshime në stafin drejtues dhe afruar futbollistë të rinj. Në mesazhin e tij, Gega nënvizoi me krenari faktin se gjatë gjithë sezonit ekipi është mbështetur vetëm tek puna dhe merita sportive.
“Gjithë sezonin nuk kam trokitur në dyert e federatës, nuk kam takuar arbitra apo administratorë ekipesh të tjera. Ua kam bërë të qartë futbollistëve dhe stafit se gjithçka varet nga puna dhe pasioni ynë”, – shprehet ai në postimin e tij.
Në fund të mesazhit, Agron Gega falënderoi Kryetarin e Bashkisë Librazhd dhe Këshillin Bashkiak për mbështetjen, trajnerin Rrahman Hallaçi dhe stafin teknik, futbollistët, drejtuesit e klubit, si dhe tifogrupin e zjarrtë Ultrasopoti, që sipas tij kanë qenë zemra e ekipit gjatë gjithë sezonit.
Një falënderim i veçantë shkoi edhe për sportdashësit librazhdas brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë qëndruar pranë skuadrës në çdo moment.
Rikthimi i Sopotit në Kategorinë e Parë ka ndezur festën në Librazhd, duke rikthyer krenarinë dhe entuziazmin tek tifozët e këtij ekipi historik. Pas 12 vitesh pritje, “Forca Sopoti” dëgjohet sërish me më shumë emocion se kurrë.


