Durrësi kishte shijen e Rexhep Muzhaqit, ustai që s’e humbi kurrë buzëqeshjen dhe e bëri punën poezi

Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh

Përulësi që duket si përrallë

Në mëngjeset e hershme të Durrësit, kur dielli ngrihet mbi det dhe rrugët mbushen me aromën e bukës së sapodalë nga furra, mungon një erë që dikur zgjonte gjithë qytetin. Nuk është më salepi që avullonte në gotat e bardha, as kosi që mbushej në tava qeramike, as dora që i përgatiti me kujdes.

Në qoshen ku dikur qëndronte lokali i njohur i bulmetit, kalojnë njerëz që nuk e dinë se aty, për dekada, u nda mirësi e pastër. Nuk është më banaku i vogël, që digjte me nxehtësi tavën e kadaifit, as buzëqeshja e ngrohtë e njeriut i cili shërbente me shpirt të hapur.

Një kohë, aty qëndronte Rexhep Muzhaqi, i njohur nga të gjithë si Xhepi, mjeshtri i qetë i shijes dhe i dehjes nga mirsjellja për njeriun. Durrësi, qyteti i portit dhe i njerëzve punëtorë, e ka ruajtur kujtimin e tij jo thjesht për aromën e kosit, por për shijen e mirë të shpirtit të tij.

Durrësi ka pasur shumë ustallarë, por vetëm pak prej tyre kanë lënë pas aromë që nuk shuhet. Një prej tyre ishte Xhepi i qetë, i urtë, i rregullt, me përparësen e bardhë dhe shikimin e butë që të qetësonte. Nuk shiste thjesht kos, salep, apo kadaif. Shërbente mirësi, duke e bëri këtë me përulësi që duket si përrallë.

Nga thellësitë e Librazhdit, fshati Gurakuq, i mbushur me gështenja të lashta dhe histori shekullore, i dhuroi Rexhepit qëndrueshmëri dhe durim. Aty ku malet përqafojnë tokën dhe pemët mbajnë gjurmë të lashta, mësoi se çdo fryt ka nevojë për kujdes, çdo punë ka nevojë për dashuri dhe çdo njeri meriton respekt.

Kur hidhte sytë nga Durrësi i rinisë së tij, shikonte portin, libraritë dhe rrugicat e ngushta ku aromat dhe zërat ndërthureshin. Shpesh kujtonte malet dhe pemët e fshatit, duke ndjerë se qyteti do të ishte vendi ku do të vendoste duart, shpirtin dhe zemrën.

Nga gështenjat e Gurakuqit tek…

Në Çermenikën e thellë, aty ku malet mbulojnë njëri tjetrin dhe toka mban në gji gështenjat më të vjetra të Shqipërisë, ndodhet fshati Gurakuq. Është vend që jeton me pemët e veta, me frytin e butë e të ëmbël që ngroh dimrin dhe mbush me jetë çdo shtëpi. Në këtë fshat të lashtë, ku ndalesat për të prerë gështenjat janë po aq të shenjta sa besa dhe fjala e dhënë, lindi më 1 janar 1931, një djalë që do të shquhej më vonë për tjetër lloj fryti atë të punës, përkushtimit dhe mjeshtrisë së zanatit. Ishte Rexhep Muzhaqi.

Gurakuqi nuk ishte thjesht vendlindja e tij, por edhe mësues i heshtur. Ndër gështenjat e lashta, midis pemëve që qëndrojnë 15-20 metra larg njëra-tjetrës, mësoi se çdo gjë ka kohën e vet, se çdo fryt kërkon kujdes dhe çdo njeri meriton respekt. Ky mësim do ta ndjekë gjithë jetën, si në punë, ashtu edhe në marrëdhëniet me njerëzit e Durrësit.

Erdhi në jetë në një shtëpi të thjeshtë, por me shpirt të madh. E ëma, fatkeqësisht, u nda nga jeta menjëherë pas lindjes, duke e lënë të voglin jetim që në ditën e parë të frymës. Nga ai çast, jeta e Rexhepit u bë udhëtim i gjatë nëpër mungesë, punë dhe dashuri njerëzore. E rriti i ati, Qamil Muzhaqi, burrë i ndershëm e punëtor, i cili merrej me tregti të vogël bylmeti. Pikërisht prej tij, djali trashëgoi dashurinë për punën me dorë, për mjeshtërinë dhe për produktin e pastër, të ndershëm, të bërë me shpirt. Në këtë mjedis, Rexhepi mësoi se natyra, puna dhe durimi janë tre aleatët më të mëdhenj të njeriut.

Por edukimi i vërtetë i Xhepit, siç e thërrisnin miqtë, ndodhi ndër dajat e tij në Elbasan, familja Gjorgaj, të njohur në qytet për zanatin e bulmetit. Njëri prej tyre, Usta Murati, ishte aq i famshëm sa iu këndua edhe këngë.

Kënga e “Usta Muratit”, që udhëtonte prej pazari në pazar, nuk ishte thjesht lavdi për një mjeshtër të djathit apo kosit, por një himn për njerëzit që me duart e tyre ngrinin shije, aromë dhe mirësi. Dhe diku midis vargjeve të asaj kënge, mësoi edhe Rexhepi se mjeshtëria nuk është vetëm zanat, por mënyrë jete, moral, ndershmëri e heshtur.

…rrugëtimi drejt detit

Në moshën 12-vjeçare, filloi punën me të atin në dyqanet e vogla të bylmetit, pastaj në Elbasan tek dajat. Në vitin 1944, kur ishte vetëm 13 vjeç, Rexhepi mbërriti në qytetin e detit. Ishte koha kur Durrësi përhapej si një taban i ri tregtarësh, ustallarësh e zanatçinjsh që ndërtuan me djersë ekonominë e pasluftës. Fëmija që zinte kos me dorë e mbante shënim çdo masë në kujtesë, pa laps e letër, do të bëhej më vonë një ndër tregtarët më të njohur e më të respektuar të Durrësit.

Hapi dyqan bylmeti në rrugicën që ngjitej drejt postës së vjetër, pranë bibliotekës së qytetit. Lokali i tij kishte diçka që nuk e gjeje askund tjetër: erë të përzier kosi e kadaifi, salepi që ngrohte duart e njerëzve në mëngjeset e ftohta dhe qetësinë e shërbimit që vinte nga shpirt i pastër.

Nuk ishin vetëm produktet, por vetë prania e Xhepit që të jepte siguri, ngrohtësi, njerëzi. Qyteti e njohu jo vetëm si mjeshtër të mirë, por si njeri të qetë, fisnik dhe human.

Kur pronat u kaluan në duart e shtetit në vitin 1950, Rexhepi nuk humbi kurrë shpirtin e mjeshtrit. Punoi për 40 vjet në Ndërmarrjen Tregtare të Ushqimit Social, ku nderi, korrektësia dhe respekti për punëtorin e thjeshtë ishin parime të pathyeshme.

Punoi fillimisht privat, derisa në vitin 1950 shteti ndërhyri dhe çdo pronë kaloi në duar publike. Rexhepi, tashmë i formuar si ustai më i zoti i lagjes, u përfshi në Ndërmarrjen Tregtare të Ushqimit Social (NTUS), ku punoi plot 40 vjet. Rexhepi nuk ishte thjesht punëtor, por simbol korrektësie dhe cilësie në gjithë Durrësin.

Në një kohë kur mungesat ishin të përditshme dhe gjithçka mateshe me plan e norma, ai e ruajti dinjitetin e zanatit. “Kos si i Xhepit nuk gjendej dot,” kujtojnë bashkëkohësit. Edhe pse punonte në shtet, nuk e humbi kurrë shpirtin privat të ustait. Pastronte me kujdes tavën, e përgatiste hashuren me masë, e rrinte përballë klientit me buzëqeshjen e qetë dhe fliste hijshëm: mirë se erdhe, mik, provo pak gëzim në lugë!

Njeriu që ushqente një qytet

Në lokalin e tij, sidomos në vitet 60-70-të, ndaleshin njerëzit më të njohur të qytetit: Kalem Bitri, Ibrahim Braho, Aqif Ylli, Naun Dervishi, Mehdi Isaku, e deri te personalitete të larta të kohës si Iliaz Reka, Eleni Kote, Sotir Kamberi, Mihallaq Ziçishti, Xhaf Qesja, Vasil Hila, Hajdar Verdha etj.. Të gjithë kërkonin një gotë kos, një salep, një kadaif nga dora e Xhepit. E veçanta ishte se nuk i shërbente vetëm me produkt, por me respekt të barabartë për të gjithë. Për të, klienti ishte njeri, jo funksionar.

Lokali i Xhepit ishte pranë Teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe aty u krijua tjetër rreth miqësor. Ishin artistët Mustafa Krantja, Nikolin dhe Meropi Xhoja, Marta Burda, Mirush Kabashi, Avni dhe Teuta Mulaj, Ramazan Njala, Drita Nikolla, Guljelm Radoja etj. Të gjithë e kishin pikë takimi lokalin e tij. Jo rrallë, pas provave të mbrëmjes, ndaleshin për një kos ose akullore, e bisedat me Rexhepin ishin po aq të ëmbla sa hashurja që përgatiste.

Kështu, mjeshtri i bulmetit u bë mjeshtër i shijes qytetare dhe një lloj institucioni i vogël, ku shija bashkohej me shpirtin. Xhepi e bëri lokal-in qendër kulture joformale, ku aroma e salepit dhe e kosit ndërthurej me zërat e artistëve, duke krijuar kujtime të paharrueshme për qytetin.

Një episod i vogël tregon shpirtin e tij human. Doktor Kauri, klient i përditshëm, pinte salep çdo mëngjes. Një ditë Rexhepi e pyeti: përse e konsumonte salepin përditë. Kauri iu përgjigj: Jo vetëm se është shumë kurativ, por pergatitet dhe shërbehet nga dora e ustait.

Ky ishte komplimenti më i madh që një mjeshtër mund të dëgjonte.
Në lokalin ku punonte, qyteti gjente buzëqeshjen e njeriut që e shihte të gjithin si pjesë të familjes së tij të zgjeruar. Durrësi e ka njohur, e ka dashur dhe e ka respektuar Rexhep Muzhaqin.

Shokët dhe klientët, nga sekretari i parë i qytetit, tek artistët e teatrit, të gjithë e lavdëronin për shërbimin, pastërtinë dhe cilësinë. Usta Xhepi, u bë pikë referimi për qytetin, simbol i buzëqeshjes dhe korrektësisë, profil që shërbente jo vetëm ushqim, por dhe ngrohtësi shpirtërore.

Pas viteve 90-të, Rexhepi rifilloi punën private deri në moshën 63-vjeçare. Nuk humbi ritmin, duke prodhuar kos, salep, hashure dhe kadaif, duke ruajtur cilësinë dhe traditën që e bëri të famshëm. Lokali i tij ishte më shumë se një vend pune. ishte qendër për qytetin, ku kujtimet dhe aroma e bulmetit bashkoheshin me të gjitha ndjenjat e qytetarëve. Të gjithë i gëzonte, si komshinë, si klientët, qytetarët, duke i përfshirë të gjithë në gëzimet dhe kujtimet e përbashkëta.

Në vitet 50-90-të, kur Durrësi po përjetonte ndryshime të mëdha politike dhe sociale, Rexhep Muzhaqi ishte aty, duke ruajtur integritetin e zanatit dhe shpirtin e qytetit. Puna në Ndërmarrjen Tregtare të Ushqimit Social (NTUS) nuk ishte thjesht detyrë, por vazhdimësi e një tradite shekullore, ku respekti për produktin dhe për klientin ishte mbi çdo ligj dhe rregull.

Njeriu i urtë dhe human

Rexhep Muzhaqi besonte në Zot. E gjeje shpesh në xhami, por kurrë nuk e ktheu fenë në bujë apo në ndarje. Mbeti njeri që ndihmonte pa zhurmë. Komshinjtë e tij, familje çame që kishin ardhur pas luftës, e kujtojnë si dorëhapur dhe shpirtmadh.

Rexhepi nuk ishte vetëm mjeshtër i ushqimit. Ishte mbështetje dhe dritë për njerëzit përreth. Komshija çame, Fatoja, që punonte në fabrikën e cigareve dhe përfundonte çdo muaj pa para, gjeti gjithmonë pranë Xhepit mbështetje. Kur vinte koha për tia larë detyrimin, Muzhaqi ynë njërëzor i thonte:

-Ulu dhe ëmbëltoi njëherë, pa për borxhin kollaj ajo punë.

Ky ishte njeriu që shikonte njerëzit dhe u kujdesej për ta, si për fëmijët e tij, si për qytetin që e deshi.

Në bordet e testimit të punëtorëve ku shërbente, ishte gjithmonë i drejtë dhe i kujdesshëm. Për të, puna nuk ishte vetëm pagë, por nder. Njihte mirë vuajtjen, prandaj e respektonte çdo njeri që djersinte.

Në vitin 1993, pas 40 vitesh punë të pandërprerë, doli në pension. Por nuk ndenji i qetë. Rifilloi sërish punën. Edhe atëherë, kur shumë të tjerë ishin dorëzuar përballë tranzicionit, ringriti me duart e veta lokalin e ëmbëlsirave tradicionale, duke i dhënë Durrësit aromën që sot mungon.

Familja pasuria më e shtrenjtë

Pas punës, vlerën më të madhe të jetës e pati me familjen. Me bashkëshorten Kalemen, grua e thjeshtë dhe punëtore e madhe që shërbente si guzhinjere në konviktin e nxënësve, ndërtuan shtëpi të mbushur me dashuri dhe mirësi. Ajo jetoi 18 vjet pas tij, duke ruajtur kujtimin e burrit me krenari e përulësi.

Kalemja (mori emrin e nënës) vajza e madhe, mbaroi shkollën industriale në degën e radios. E martuar me Shpëtim Kadiun, jeton në Breshia të Italisë, ku gëzojnë vajzën e tyre Mirsidën dhe nipin Rean, 10-vjeçar. Mban në shpirt urtësinë e gjyshit. Agimi, djali i vetëm, u bë elektricist i zoti dhe krenari e familjes, por u nda nga jeta i ri, pas sëmundjes të rëndë. La në boshllëk të thellë zemrat e të gjithëve.

Nexhmija (Nexhi), vajza e vogël, mbaroi Gjuhë-Letërsi dhe sot është administratore e kopshtit privat “Green Elite” në Durrës. Bashkëshorti i saj, Bardhyli, është pensionist, ndërsa dy djemtë e tyre, Ermiri (shkencëtar në ekonomi) dhe Elti (psikolog), janë dëshmia më e bukur e trashëgimisë së familjes Muzhaqi.

Përmes tyre, Xhepi rron ende, jo si histori e shkruar, por si jetë që vazhdon në duar të tjera, në buzëqeshje të reja dhe në punë të përkushtuara. Në këtë degëzim të bukur familjar, ku çdo brez ka marrë diçka nga rrënja e Xhepit ndershmërinë, përkushtimin, dashurinë për punën, gjallon kujtimi i tij si një dritë e qetë.

Zemra që nuk e duroi padrejtësinë

Rexhep Muzhaqi u nda nga jeta më 17 dhjetor 1997, në moshën 66-vjeçare, pas një goditjeje në zemër. Miqtë e afërt thonë se nuk ishte vetëm sëmundja, por edhe brenga e madhe që nuk arriti të trashëgonte lokalin, ku i kishte kushtuar gjithë jetën.

Duke dëmtuar moralin dhe ligjin, Rexhep Muzhaqit ia morën lokalin, duke humbur vazhdimësinë e asaj pune, që e vendosi në historinë e Durrësit. Vërtet humbi një pronë të ligjshme, por fitoi më të rëndësishmen, emrin që nuk ka gjasa të harrohet.

Në kujtesën qytetare të Durrësit, emri i Rexhep Muzhaqit mbetet i skalitur midis aromës së kosit dhe fisnikërisë së heshtur. Mbeti nga ata njerëz që nuk bënë zhurmë, por lanë gjurmë. Nga gështenjat e Gurakuqit mori qëndrueshmërinë dhe durimin. Nga Durrësi mori hapësirën për të shprehur shpirtin e tij.

Ruajti gjithmonë disiplinën dhe korrektësinë, por mbi të gjitha, humanizmin. Qyteti e njihte Rexhepin jo vetëm për duart mjeshtrore, por edhe për zemrën dhe shpirtin e madh, për atë që sot nuk ekziston më, por që çdo kujtim e mban të gjallë.

Në vend të mbylljes

Kur dikush kujton Durrësin e dikurshëm, me shijet e vjetra, me njerëzit që e donin punën dhe respektin, do të kujtojë patjetër edhe Xhep Muzhaqin, mjeshtrin e famshëm të shijes. E filloi jetën i vetëm në malet me gështenja dhe e mbylli mes njerëzve që e deshën si mik, si baba, si qytetar të rrallë.

Pas kaq vitesh, në rrugicat e Durrësit s’ka më shije si të dikurshmet. Kosi është bërë industri, salepi është kujtim, e buzëqeshja e ustait mungon pas banakut. Por në kujtesën e qytetit, Rexhep Muzhaqi nuk është harruar.

Qendron diku midis aromës së detit dhe kujtimit të njerëzve të mirë. Ata që e njohën, e kujtojnë si njeri më të ëmbël se ëmbëltorja, të matur, shembull të qytetarisë durrsake.

Dhe kur në ndonjë mëngjes dimri avullon një filxhan salep, duket sikur fryma e tij endet lehtë në ajër sikur kërkon të thotë:

“Puna e ndershme, është shija më e mirë e jetës.”
Kështu e kujton Durrësi Rexhep Muzhaqin, usta që nuk u nda kurrë nga banorët e tij.

Ndoshta askush s’e di më recetën e kosit të mjeshtrit të rrallë të trajtimit të bulmetit, por shijen e mirë të shpirtit të tij qyteti e ruan ende. Durrësi nuk e ka më shijen e vërtetë të kosit, salepit apo kadaifit të Xhepit.

Por kujtesa nuk shuhet. Ajo rron në rrugët e ngushta të qytetit, në aromën që ndonjëherë ngjan e harruar, në buzëqeshjen e njerëzve që e njohën.

Rexhep Muzhaqi është ende aty ku erdhi nga Gurakuqi, duke përqafuar qytetin me durim dhe dashuri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME