Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hitaj : Akademia është motori i rigjenerimit të Policisë së Shtetit

TIRANË, 7 tetor 2026 /Albania Express News/- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka përcjellë një mesazh të fortë për brezin e ri të studentëve që nisën studimet Bachelor në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë.

Në ceremoninë e fillimit të vitit akademik, Hita vlerësoi interesin e lartë të maturantëve për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit, duke e cilësuar vendimin për hapjen e mundësisë së konkurrimit për maturantët si një hap të rëndësishëm për rinovimin dhe modernizimin e strukturave policore.

“Është emocionuese dhe shpresëdhënëse kur ulesh mes të rinjve dhe të rejave që aspiratat e tyre i adresojnë në një drejtim: në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm.

Sipas tij, përfshirja e brezit të ri në Policinë e Shtetit sjell energji, mentalitet dhe një qasje të re profesionale, elementë që ndikojnë drejtpërdrejt edhe në forcimin e besimit të qytetarëve te uniforma blu.

390 studentë nisin studimet “Siguria dhe Hetimi”

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se gjatë tri viteve të fundit, që prej hapjes së dyerve të Akademisë së Sigurisë për maturantët, interesi ka qenë veçanërisht i lartë.

Mijëra të rinj dhe të reja kanë konkurruar për të ndjekur Fakultetin “Siguria dhe Hetimi”, ndërsa pas një procesi konkurrues dhe transparent, këtë vit janë 390 studentë që kanë nisur studimet Bachelor.

Hita vlerësoi gjithashtu zhvillimin e Akademisë së Sigurisë në aspektin akademik dhe profesional, duke theksuar bashkëpunimin e saj me institucione homologe prestigjioze në rajon, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, Akademia është tashmë e binjakëzuar dhe anëtare e bordeve të akademive prestigjioze, ndërsa studentët kanë në dispozicion literaturë bashkëkohore, përfshirë atë të akademisë italiane, si dhe ambiente dhe laboratorë të përshtatshëm për procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

“Edhe unë jam shkolluar në këto ambiente”

Në fjalën e tij, Drejtuesi Madhor Skënder Hita solli edhe një reflektim personal, duke kujtuar periudhën kur ishte vetë student në këto ambiente.

“Duke kujtuar të shkuarën, në këto ambiente jam shkolluar edhe unë, e bashkë me mua breza të tërë të Policisë së Shtetit. Por, ndryshe nga sot, ne ishim shumë më pak të privilegjuar në të gjitha aspektet, pasi edhe Policia ishte ende e brishtë”, tha ai.

Sipas tij, sot Policia e Shtetit ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në aspektin profesional dhe institucional.

“Policia e Shtetit është rritur profesionalisht dhe është e barabartë me partnerët, e besueshme dhe pjesë e hetimeve dhe operacioneve ndërkombëtare”, theksoi Hita.

“Policia nuk është thjesht profesion, por mision”

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt 390 studentëve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënvizoi përgjegjësinë që ata kanë marrë përsipër duke zgjedhur këtë rrugëtim profesional.

“Për ju nisi një rrugëtim i ri, si në aspektin e dijes, ashtu edhe të misionit që keni marrë përsipër. Sepse Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por është mision”, u shpreh ai.

Hita theksoi se përmbushja e këtij misioni kërkon këmbëngulje, vullnet, dije, përgatitje fizike, disiplinë dhe respekt ndaj kolegëve dhe pedagogëve.

Ai i inkurajoi studentët që gjatë tri viteve të studimit të përfitojnë sa më shumë dije dhe aftësi profesionale, duke e konsideruar kombinimin e arsimit me stërvitjen dhe disiplinën si faktorët kryesorë në formësimin e tyre.

Pas tri vitesh, oficerë të Policisë së Shtetit

Drejtori i Përgjithshëm u kujtoi studentëve se përfundimi i studimeve do t’i përballë ata me një përgjegjësi edhe më të madhe.

“Pas tri vitesh do të jeni oficerë të Policisë së Shtetit, një titull që ju jep privilegjin, por mbi të gjitha përgjegjësinë, për t’iu shërbyer qytetarëve, sigurisë dhe vendit”, deklaroi Hita.

Në këtë drejtim, ai kërkoi prej tyre përkushtim maksimal ndaj procesit akademik dhe përgatitjes profesionale, duke i nxitur që të mos e shohin fakultetin vetëm si një etapë arsimore, por si themelin e karrierës dhe misionit të tyre të ardhshëm.

“Akademia është motori kryesor i rigjenerimit të Policisë”

Drejtori i Përgjithshëm bëri të ditur se Akademia e Sigurisë ka qenë një prej prioriteteve të tij që prej ditës së parë në detyrë.

“Që ditën e parë të punës sime si Drejtor i Përgjithshëm, Akademia ka qenë dhe do të jetë në vëmendjen time të veçantë, sepse ajo është motori kryesor i rigjenerimit të Policisë, i shkollimit, trajnimit dhe përgatitjes së brezave të rinj të Policisë së Shtetit”, deklaroi Hita.

Ai nënvizoi gjithashtu angazhimin e tij, së bashku me Rektorin dhe Bordin e Akademisë, për adresimin dhe eliminimin e problematikave të evidentuara gjatë vitit.

Hita: Mos nguroni të komunikoni për çdo shqetësim

Në përfundim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u bëri thirrje studentëve të rinj që të komunikojnë hapur dhe të japin kontributin e tyre për përmirësimin e Akademisë.

“Mos nguroni të më shkruani për çdo shqetësim apo ide për përmirësim. Duke folur, komunikuar dhe duke dhënë kontributin tuaj në zgjidhjen e problematikave kudo që ato shfaqen”, u shpreh ai.

Hita e mbylli mesazhin e tij me një apel për përgjegjësi, përkushtim dhe integritet ndaj qytetarëve, ligjit dhe vendit.

“Mos harroni përgjegjësinë që keni marrë mbi vete dhe përkushtimin që duhet të keni për të dalë sa më të aftë nga ky fakultet, për t’i shërbyer qytetarit, ligjit dhe atdheut!”

Drejtori i Përgjithshëm i uroi studentëve të rinj suksese në këtë rrugëtim, duke e cilësuar nisjen e studimeve si një etapë të rëndësishme jo vetëm për formimin e tyre profesional, por edhe për të ardhmen e Policisë së Shtetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

FRANCË – Pas trazirave, kryeministri Lecornu njofton vendosjen e shtetrrethimeve lokale

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Kryeministri francez, Sébastien...

Gonxhja në Balkan Sea Fair: Turizmi dyfishoi të ardhurat në 3 vjet

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Ministri i Turizmit,...