Dr. Donika Tahirsylaj Alidemi: Jeta mes Prishtinës dhe Tiranës, një histori frymëzuese suksesi dhe triumfi e një pioniereje të psikologjisë mjekësore në të gjitha trevat shqiptare

INTERVISTOI  FATMIR  POPJA

Në hapësirën shqiptare, ku zhvillimi i shkencës dhe shëndetit mendor ka kaluar përmes sfidave të shumta, rrallëherë lindin figura që jo vetëm thyejnë barriera profesionale, por edhe ndërtojnë ura mes dijes, humanizmit dhe jetës reale. Një prej tyre është pa dyshim Dr. Sci. Spec. Donika Tahirsylaj Alidemi nga Prishtina specialistja e parë e Psikologjisë Mjekësore në të gjitha trevat shqipfolëse.

Historia e saj është një rrëfim i rrallë që ndërthur sakrificën akademike me ndjeshmërinë njerëzore, përkushtimin profesional me forcën shpirtërore. E formuar në Universitetin Shtetëror të Shkupit, në një realitet jo gjithmonë të lehtë për një studente shqiptare sidomos nga Prishtina , ajo arriti të përfundojë specializimin dhe doktoraturën në një ndër degët më komplekse të mjekësisë një ndërthurje mes neurologjisë dhe psikiatrisë, që merret me identifikimin dhe ekzaminimin e problemeve psikike në kontekst klinik.

Por përtej këtij suksesi profesional, qëndron një histori shumë më e thellë ,ajo e një vajze që u rrit në një familje me traditë të fortë intelektuale, bijë e një prej figurave më të shquara të shkencës shqiptare, profesorit Sylë Tahirsylaj, i cili u nderua pas vdekjes me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Një baba që nuk ishte vetëm prindi biologjik për të , por mentor, shok , koleg mik dhe frymëzim. Humbja e papritur e tij e tronditi thellë, por që njëkohësisht i dha edhe shumë forcë dhe e formësoi përfundimisht si njeri dhe profesioniste.

Donika Tahirsylaj Alidemi sot është një emër mjaft i njohur në mjekësi. Ajo është një model i gruas moderne shqiptare , është një nënë e përkushtuar, një bashkëshorte model ,një profesioniste e palodhur, një zë i qetë, por i fortë, që promovon dijen, etikën dhe paqen përmes shembullit personal.

Në këtë intervistë të gjatë dhe ekskluzive për “Albania Express News” , ajo hap zemrën dhe mendjen dhe rrëfen sinqerisht sfidat e shkollimit, sakrificat familjare, dhimbjen e humbjes së parakoshme e të papritur të babait dhe filozofinë e saj për jetën.

INTERVISTA

Dr. Donika, le të kthehemi në fillim. Si nisi rrugëtimi juaj drejt psikologjisë mjekësore?

Rrugëtimi im nuk ka qenë i rastësishëm. Unë jam natyrë humaniste dhe gjithmonë kam qenë e prirur të kuptoj njeriun jo vetëm sjelljen, por edhe dhimbjen, mendimin dhe emocionin. Psikologjia mjekësore ishte një zgjedhje që më përfaqësonte plotësisht, sepse është një ndërthurje e neurologjisë dhe psikiatrisë ,një fushë që depërton thellë në kompleksitetin e qenies njerëzore.

Ju jeni pjesë e gjeneratës së dytë të studentëve të psikologjisë në Kosovë. Si ishte ajo kohë?

Ishte një kohë kur nuk kishim shumë burime njerëzore dhe as struktura të konsoliduara, por kishim vullnet dhe pasion. Gjatë studimeve kam drejtuar edhe një emision në RTK, ku trajtoja tema psiko-sociale me mbështetjen e profesorëve të mi. Aty fillova të kuptoj sa e rëndësishme është të flasësh për shëndetin mendor.

Studimet tuaja ju çuan në Shkup, në një ambient sfidues. Çfarë përjetuat atje?

Ishte një nga periudhat më të vështira të jetës sime. Psikologjia mjekësore nuk ofrohej në Kosovë apo Shqipëri, ndaj më duhej të studioja jashtë. Zgjodha Shkupin mes shumë alternativave.

Fillimisht kishte paragjykime ,si ndaj meje, ashtu edhe nga ana ime ndaj tyre. Nuk ishte e lehtë të ishe shqiptare në atë ambient. Kam përjetuar edhe momente të vështira, fyerje apo nënçmime, por me shumë punë, përkushtim dhe durim arrita të fitoj respektin e tyre.

Sot kam marrëdhënie shumë të mira me profesorët dhe kolegët. Ishte një betejë që më forcoi shumë gjatë periudhës së specializimit dhe doktoraturës në Shkup.

Keni kryer edhe doktoraturën aty. Sa e vështirë ishte kjo fazë?

Shumë e vështirë. Jo vetëm nga ana akademike, por edhe personale. Unë isha nënë e dy vajzave të vogla dhe shpesh duhej të qëndroja larg tyre për shkak të specializimit.

Mbaj mend kur kthehesha në shtëpi ,mblidheshim te treja në një dhomë, unë studioja dhe vajzat bënin detyrat. Njëherë vajza ime më tha: “Mami, vetëm ti nuk e ke mbaruar ende shkollën?” sepse mamatë e shoqeve tona e kanë mbaruar me kohë të gjitha .Ishte një moment që më preku shumë.

Sa rol ka luajtur familja në suksesin tuaj?

Vendimtar. Bashkëshorti im Besniku ka qenë mbështetje e jashtëzakonshme. Edhe prindërit e mi më kanë inkurajuar shumë. Pa këtë mbështetje, nuk do të ishte e mundur.Falë mbështetjes së jashtëzakonshme të tyre arrita të përfundoj me sukses specializimin dhe doktoraturën.Të gjithëve ju jam mirënjohës përjetë.

 Si e përjetoni angazhimin tuaj në Universitetin e Prishtinës dhe çfarë ju motivon në punën akademike?

Angazhimi në Universitetin e Prishtinës është një përgjegjësi dhe privilegj i madh për mua. Më motivon fakti që punoj me studentë të rinj, të cilët kanë dëshirë të mësojnë dhe të kontribuojnë në shoqëri. Përpiqem çdo ditë të sjell jo vetëm njohuri teorike, por edhe përvojën time praktike, në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për sfidat e profesionit.

Si e balanconi punën tuaj në klinikë me atë akademike dhe cilat janë sfidat kryesore?

Balancimi i punës në klinikë me angazhimin akademik nuk është i lehtë, por është një proces që kërkon disiplinë dhe pasion. Klinika më mban të lidhur drejtpërdrejt me realitetin dhe pacientët, ndërsa universiteti më jep mundësinë të ndaj këtë përvojë me studentët. Sfida më e madhe mbetet menaxhimi i kohës, por kënaqësia që marr nga të dyja këto role e bën çdo përpjekje të vlefshme.

Babai juaj, i ndjerë ,profesor Sylë Tahirsylaj, është një figurë e madhe e shkencës. Çfarë ka përfaqësuar ai për ju?

Gjithçka. Ai nuk ishte vetëm baba ,ishte shoku im më i mirë, mentori im, motivuesi im më i madh.

Ai ishte një figurë e jashtëzakonshme në shkencë dhe arsim. Studioi fizikë, kreu studime në Prishtinë dhe më pas në Universiteti i Tiranës, ku mbrojti edhe doktoraturën në fushën e meteorologjisë.

Drejtoi Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës për më shumë se një dekadë dhe ishte përfaqësuesi i parë i Kosovës në Organizata Botërore e Meteorologjisë.

Ai është nderuar pas vdekjes me një medalje të lartë. Si e përjetuat këtë?

Ishte një moment krenarie dhe dhimbjeje njëkohësisht. Medalja Presidenciale e Meritave nga Vjosa Osmani ishte një vlerësim i merituar për gjithë jetën dhe kontributin e tij.

Ai la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme ,jo vetëm në shkencë, por edhe në vlera.

Humbja e tij ka qenë e papritur. A mund ta ndani atë moment?

Është shumë e vështirë… por po.

Vetëm 15 minuta para se të ndërronte jetë kishim folur në telefon. Ishte plot jetë, humor, energji. Nuk vuante nga asnjë sëmundje.

Më pas erdhi telefonata e mamit… dhe gjithçka ndryshoi.

U nisa menjëherë, por kur arrita… babi ishte në morg.

Ishte një tronditje e jashtëzakonshme. Edhe sot më duket e pabesueshme.

Çfarë ju dhemb më shumë nga ajo ditë?

Pengu më i madh është që nuk pata mundësinë ta shihja për herë të fundit… t’i jap një gotë ujë… ta përqafoj.

Por ajo që më ka mësuar kjo humbje është se dhimbja mund të kthehet në forcë.

Si ju ka ndryshuar kjo humbje si njeri dhe profesioniste?

Më ka bërë më të fortë dhe më të vetëdijshme për jetën. Më ka mësuar të vlerësoj çdo moment me familjen.

Dhe mbi të gjitha, më ka dhënë një forcë të brendshme për të ecur gjithmonë përpara.

Ju përshkruajnë si një grua me prezencë të veçantë dhe autoritet të qetë. Si e shihni veten?

Unë nuk përpiqem të imponoj veten. Besoj se qetësia, qartësia dhe respekti janë më të forta se çdo zë i lartë.

Jam natyrë që flet kur ka diçka për të thënë. Nuk më pëlqen të mbush hapësira pa kuptim.

Ka një perceptim publik për elegancën dhe mënyrën tuaj të komunikimit…

Mendoj se vjen nga edukata dhe formimi familjar. Vij nga një familje e njohur intelektuale në Kosovë ku vlerat, respekti dhe kultura kanë qenë gjithmonë thelbësore.

Bukuria, nëse ekziston, nuk është vetëm fizike. Është mënyra si mendon, si sillet dhe si komunikon.

Çfarë ju dallon më shumë sipas jush?

Ndoshta balanca mes mendjes dhe emocionit. Jam tip emocional, por edhe shumë e vetëdijshme dhe e kontrolluar.

Si është jeta juaj sot?

Jeta ime është mes Prishtinës dhe Tiranës. Kam miq dhe bashkëpunime në të gjitha fushat. Vajza ime e madhe studion mjekësi në Universitetin Shtetëror në Tiranë dhe kjo më bën shumë krenare.

Çfarë mesazhi do të jepnit për fund?

Të duam më shumë familjen. Të kalojmë sa më shumë kohë me prindërit, sepse nuk e dimë sa gjatë i kemi pranë.

Dhe të mos kemi frikë nga sfidat ,sepse ato na ndërtojnë për të arritur edhe të pamudurën.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME