Elbasani arriti mes vuajtjesh një kualifikim të rëndësishëm në gjysmëfinale të Kupës, duke përmbysur në ndeshjen e dytë skuadrën e Partizanit në kryeqytet. Verdheblutë treguan karakter dhe vendosmëri, duke luftuar deri në minutën e fundit për të përmbysur disavantazhin e takimit të parë dhe për të mbajtur gjallë shpresat për një trofe në këtë kompeticion. Ky sukses u jep atyre një mundësi të artë për të vazhduar garën në Kupë dhe për të synuar finalen. “Panorama Sport” mori mendimin e ish-trajnerit të njohur të Elbasanit, Muharrem Dosti, i cili vlerësoi paraqitjen e skuadrës në ato 120 minuta intensive, duke theksuar mbi të gjitha forcën e karakterit dhe besimin që lojtarët treguan në fushën e lojës. “Unë do ta konsideroja si një ndeshje derbi, siç ndodh shpesh mes skuadrave të kreut. Elbasani luftoi për kualifikimin deri në minutën e fundit dhe ia doli të dilte me sukses. Ekipi tregoi karakter dhe nuk u dorëzua në asnjë moment. Nuk është aspak e lehtë të rikuperosh një disavantazh nga ndeshja e parë, sidomos kur bëhet fjalë për faza kaq të rëndësishme të një kompeticioni si Kupa. Kjo tregon jo vetëm cilësinë e skuadrës, por edhe mentalitetin dhe besimin që kanë lojtarët te vetja dhe te njëri-tjetri. Me atë që treguan në fushë, e shoh si një kualifikim plotësisht të merituar”, u shpreh fillimisht Dosti.
OBJEKTIVAT – Dosti pohon më tej se verdheblutë kanë kapacitetet për të luftuar në dy fronte, si në kampionat ashtu edhe në Kupë, pasi cilësia dhe ambicia nuk u mungojnë. Sipas tij, ky kualifikim mund të shërbejë si një shtysë e madhe psikologjike për vazhdimin e sezonit. “Pas kualifikimit në Kupë, tani morali është shumë i lartë dhe kjo gjendje pozitive do të reflektohet edhe në ndeshjet e kampionatit. Kur një ekip arrin një përmbysje të tillë në një ndeshje kaq të rëndësishme, besimi rritet ndjeshëm. Për mua, Elbasani i ka të gjitha mundësitë për të luftuar në dy fronte. Në Kupë tani janë shumë pranë finales dhe çdo ndeshje do të jetë vendimtare. Në kampionat gjithashtu janë në pozita të mira dhe kanë treguar stabilitet gjatë sezonit. Nuk shoh asnjë arsye pse kjo skuadër të mos vazhdojë të luftojë fort si për kupën, ashtu edhe për titullin”, vijoi më tej ish-tekniku.
TIRANA – Ish-tekniku i verdhebluve ndalet edhe te përballja e kësaj fundjave me Tiranën, një tjetër ndeshje e rëndësishme për ecurinë e kampionatit. Dosti shprehet se kjo do të jetë një përballje e fortë, por beson se momenti psikologjik është në anën e Elbasanit. “Kam respekt për Tiranën, për historinë dhe kontributin që ka dhënë në futbollin shqiptar. Është një klub me traditë dhe gjithmonë mbetet një kundërshtar i fortë. Por në këtë moment Elbasani duket në një gjendje shumë të mirë. Morali është i lartë pas kualifikimit në Kupë dhe kjo është një armë e fortë për skuadrën. Nëse arrijnë të ruajnë përqendrimin dhe të luajnë me të njëjtin intensitet si në ndeshjen e fundit, besoj se kanë mundësi reale për të marrë një rezultat pozitiv”, tha ai. Verdheblutë do të kërkojnë patjetër të dalin me një fitore nga përballja e së dielës në kryeqytet, në mënyrë që të mbajnë gjallë shpresat për titullin kampion dhe njëkohësisht të vazhdojnë momentin pozitiv që kanë krijuar pas kualifikimit në Kupë.

