Kryeministri Edi Rama u mirëprit në Londër nga Mbreti Charles III, së bashku me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Në foton e publikuar shihet momenti kur kreu i qeverisë i jep dorën Mbretit, ndërsa në sallë ishte prezent edhe kryeministri britanik.
Mbreti Charles III mirëpriti liderët e Ballkanit Perëndimor për bisedime mbi emigracionin, sigurinë dhe rritjen ekonomike. Takimi, pjesë e Procesit të Berlinit, do të zhvillohet në Londër, ku Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Rama.
Gjatë ditës së martë, më 21 tetor, Rama mori pjesë në disa tryeza dhe forume, duke diskutuar tema të ndryshme, nga integrimi në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi rajonal, deri te gjeopolitika e kontinentit.
Ky samit rajonal, i organizuar nën mikpritjen e kryeministrit britanik Keir Starmer, mbledh liderët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën.