Ditmir Bushati dhe Daniel Ziblatt në “Public Square”: Gjendja e demokracisë në SHBA, sfidat në Perëndim dhe ndikimi i Inteligjencës Artificiale

Në episodin e radhës të Public Square, i ftuar nga Ditmir Bushati ishte Daniel Ziblatt, profesor i qeverisjes në Universitetin e Harvardit, drejtor i Qendrës për Studime Europiane në Harvard dhe bashkautor i librave të njohur Si vdesin demokracitë dhe Tirania e pakicës.

Biseda u përqëndrua te gjendja e demokracisë në Shtetet e Bashkuara, sfidat e demokracive liberale në Perëndim, raporti transatlantik, si edhe ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale mbi jetën demokratike.

Ziblatt vlerësoi se SHBA nuk po përjeton thjesht një “zhvendosje”, por një sulm autoritar ndaj demokracisë, duke theksuar se shenja të tilla dallohen kur vihet në dyshim rezultati i zgjedhjeve, kur përdoret retorikë e dhunshme ndaj kundërshtarëve dhe kur mohohet legjitimiteti i rivalit politik. Sipas tij, këto zhvillime kanë sjellë erozion të normave bazë demokratike dhe rënie të cilësisë së demokracisë amerikane.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rregullave të pashkruara të demokracisë, të cilat Ziblatt i konsideroi po aq të rëndësishme sa kushtetuta dhe ligjet formale. Ai nënvizoi dy shtylla themelore, tolerancën e ndërsjellë, pra pranimin e rivalit si kundërshtar legjitim, dhe vetëpërmbajtjen institucionale, që kërkon nga pushteti të mos përdorë maksimalisht çdo kompetencë formale që ka në dispozicion.

Në analizën e tij për zhvillimet ndërkombëtare, Ziblatt tha se sot kostot për regjimet autoritare janë më të ulëta se më parë, për shkak të dobësimit të konsensusit perëndimor për promovimin e demokracisë. Ai argumentoi se kur demokracia vihet në vështirësi në vende të mëdha e të fuqishme si SHBA, pasojat nuk janë vetëm kombëtare, por tronditin edhe rendin ndërkombëtar.

Duke folur për marrëdhëniet SHBA–Europë, Ziblatt mbrojti tezën se Bashkimi Europian ka qenë dhe mbetet edhe në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se dobësimi i projektit europian dhe i aleancës transatlantike do të sillte më shumë pasiguri për vetë Europën dhe për rendin perëndimor në tërësi.

Një tjetër moment i rendësishëm i bisedës ishte ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në demokraci. Ziblatt shprehu shqetësim për përqendrimin ekstrem të pushtetit ekonomik dhe politik në duart e pak kompanive teknologjike, duke e cilësuar këtë si një lajm të keq jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë demokracinë. Ai mbrojti nevojën që shtetet demokratike të rregullojnë tregun digjital dhe të garantojnë konkurrencë të ndershme.

Në fund të bisedës, ai theksoi se, pavarësisht debateve mbi efikasitetin ekonomik të sistemeve të ndryshme, demokracia mbetet forma më e mirë e qeverisjes për mbrojtjen e lirive themelore, për garantimin e lirive civile dhe për largimin paqësor të udhëheqësve të këqij përmes zgjedhjeve. Sipas tij, nëse shoqëritë nuk arrijnë t’i japin përgjigje bindëse pyetjes “përse demokracia?”, atëherë rrezikojnë të humbasin jo vetëm institucionet demokratike, por edhe vetë betejën për idenë e demokracisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rikthim triumfal: Besëlidhja e Lezhës shpërthen në festë dhe siguron ngjitjen në Kategorinë e Parë!

LEZHË , 11 prill 2021/Albania Express News/Një ditë që...

Drejtori i portit të Sarandës, Admir Malaj :Flukse turistike nga porti i Sarandës, deri tani prenotime nga 28 kroçera

SARANDË, 11 prill/Albasania Express News/ Qyteti bregdetar i Sarandës,...

Përpjekje për të rikthyer lirinë e lundrimit, SHBA nis pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit

Komanda Qëndrore e SHBA-së (Centcom) ka njoftuar se Shtetet...

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu : Investimi në 70 shkolla të reja ka përfunduar, 42 të tjera në proces ndërtimi

SHKODËR, 11 prill/Albania Express News/ Mbi 400 gjimnazistë dhe...