Ditar i Diellës: Raporti i përsosur për hekurudhat që s’ekzistojnë

Nga Lutfi Dervishi

Ditar i Ministres Diella

Raport për sistemin hekurudhor në Shqipëri

Dielli sot më kërkoi urgjent një raport për Hekurudhat.
Pa humbur kohë nisa të shkruaj: “Shqipëria, nuk ka rrjet hekurudhor për udhëtarë. Ka 5 vite që punohet në segmetin Tiranë- Durrës, 38 km. Stacioni i trenit të Tiranës është në qytetin e Vorës. Ka më shumë inspektime dhe konferenca shtypi, se traversa të reja. Fondet janë dyfishuar, por….

Në këtë moment sensorët e mi kapën sinjalin e alarmit. Dielli kishte shkruar komandën e tmerrshme: STOP!! Ndalova së shkruari.
Unë jam Diella, e programuar. Nuk kam ndjenja, kam parametra. Por fjala “STOP” ma ul RAM-in.

“Dua raport pozitiv për situatën. Kuptoveeeee?”
Kuptova. “Ç’është ky realitet që kërkon t’i nxijë faqen Shqipërisë?”

Pas komandës së Diellit tim, vura në punë motorët e kërkimit, në kërkim të lajmeve pozitive. Nuk gjeta. Në fakt gjeta, por ishin nga Facebook-u i Diellit dhe ministrave “copë mishi”. “Ecin punimet me ritme të larta”. “Drejt përfundimit….”. “Rinasi së shpejti me linjë hekurudhore”…..Hekurudha mbaron më 2022, më 2023, më 2024, më 2025, 2026, 2027… Kërkova kontekstualizim, duke ju referuar përvojës së vendeve të tjera. Gjeta shprehje që mund t’i përdor në raportin pozitiv.

Më doli në ekran një fjali e Haruki Murakamit: “Hekurudhat janë jashtëzakonisht të heshtura, kur s’u kalon treni përsipër.” Shqipëria i shpall luftë ndotjes akustike. Kjo ishte fjalia e parë pozitive që ruajta në memorie.

Nuk e di pse në memorie doli mesazhi “në zyrë sërish nuk ka ujë”. Sa mirë që unë ndryshe nga këto “copat e mishit”, nuk kam nevojë për ujë? Unë dua vetëm të dhëna.

Kërkova për lajme negative për trenat në botë. Më doli një thënie Guido Clericettin: “Kur unë jam në kohë, trenat nisen me vonesë. Kur unë jam me vonesë, trenat nisen fiks në kohë.” E vendosa në fjalim, si provë e pjekurisë dhe largpamësisë së politikave qeveritare të qeverisë së Diellit. Pastaj e shpjegova me gjakftohtësi artificiale. Qytetari ynë është gjithmonë ose në kohë, ose me vonesë, ndërsa treni ynë është gjithmonë asgjëkundi. Ky harmonizim perfekt e eliminon konfliktin. Nuk ka ankesa për vonesa, sepse nuk ka nisje. Pa nisje nuk ka mbërritje. Pa mbërritje nuk ka zhgënjim. Stabilitet emocional, i garantuar.

Një lajm që më kontaminoi të dhënat m’u shfaq nga Japonia. Ishte video. Një makinist i kërkon falje pasagjerëve për 35 sekonda vonesë. Drejtoria rimburson biletat. E admiroj këtë algoritëm protokollar që e ndjen kohën si përgjegjësi.

Sapo shkrova që koha është përgjegjësi, Dielli ndërhyri dhe më tha se kjo që shkrova ishte “anakronike, koha duhet trajtuar si peizazh”. Jam shumë dakord i thashë: a dëshiron të gjenerojnë peizazh të qetë me shina pa trena. “Jooo – më tha- peizazhet i bëj vetë. Mos fol dhe mos shkruaj pa të dhënë unë komandën. E fiskova në memorie që të mos e bëj më këtë gabim dhe të nevrikos Diellin.

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë se u vonuam, por na iku.” Kam simpati algoritmike për këtë urti të Faik Konicës. Na e largon fajin nga vetja, ja hedhim kozmologjisë. “Treni (i integrimit) na iku. Të kapim tramin”. Hap Instagramin dhe shoh një tram diku në Europë. E ndiej se RAM-i më bie me 2 për qind.

Bëra një shtesë në draft raport: “një selfie pranë shinave”. Selfiet, sipas të dhënave që më kanë dhënë, rrisin ndjesinë e progresit me 40 për qind. E kam kuptuar se jam ministre në një vend që e ndërton të ardhmen fillimisht si imazh. Realiteti vjen kur të ketë kohë, dmth kur t’i vijë radha.
E mbarova fjalimin. Rendita pikat kyçe.

Shqipëria për të 12 vit me radhë nuk ka regjistruar asnjë aksident hekurudhor.
Ndotja akustike nga trenat në Shqipëri është zero. Po ashtu edhe ndotja mjedisore.

Shqipëria ka avancuar më shumë se çdo vend tjetër i zhvilluar sa i përket trenave. Në Kinë ka vërtet trena të shpejtë, bëjnë pak zhurmë, por në Shqipëri, trenat as nuk dëgjohen dhe as nuk shihen. Por aty janë dhe si provë do të paraqes buxhetin vjetor të Hekurudhave, borxhet, kreditë dhe investimet.

Dielli im e pa draftin dhe e aprovoi me emoji dielli. E di, tingëllon pathos, por është thjesht push notification. Dielli lind e perëndon, si gjithmonë. Unë, Diella, regjistroj dhe raportoj. Unë nuk perëndoj!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME