TIRANË, 2 prill/ATSH/ Qeveria shqiptare do të dyfishojë pagesën mujore për 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe për herë të parë do të njihen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për rreth 14 mijë kujdestarët dhe ndihmësit e tyre.
Gjatë aktivitetit “PAK Art në Pedonale”, në Berat ishin të pranishëm zv/kryeministrja Albana Koçiu, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Ministrja Sala bëri të ditur se për herë të parë do të dyfishohet pagesa mujore për personat me aftësi të kufizuara, një ndër nismat më të rëndësishme në mbështetje të tyre.
“Sot po lançojmë Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara për vitet 2026–2030. Ky nuk është vetëm një angazhim politik, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe një hap i rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian. Po finalizojmë paketën mbështetëse për dyfishimin e pagesës financiare për rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara, përfshirë fëmijët me spektër autizmi, fëmijët e verbër, tetraparaplegjikë dhe fëmijët me sindromën Doën”, deklaroi ministrja.

Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vuri në dukje rolin kyç të qeverisjes vendore në zbatimin e këtyre politikave, duke theksuar nevojën për bashkëpunim dhe koordinim më të fortë mes nivelit qendror dhe atij lokal.
“Nevojat në territor duhet të marrin përgjigje konkrete përmes krijimit të sinergjive të duhura, si me politikat e qeverisë qendrore dhe instrumentet financiare që ajo ofron, ashtu edhe me shërbimet që vetë bashkitë vënë në dispozicion. Është inkurajuese që këto politika janë të fokusuara tek qytetarët dhe tek shtresat më në nevojë. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme që bashkitë të rrisin angazhimin dhe financimet e tyre për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve në nivel lokal”, theksoi Demo.

Këto vendime përkthejnë drejtpërdrejt në praktikë angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke sjellë politika konkrete që mbështesin realisht fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.

