KORÇË,5 qershor 2026/Albania Express News/Dalën në dritë detaje të reja nga operacioni policor i zhvilluar një ditë më parë në Maliq, ku Violand Braçellari, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit, u përfshi në një shkëmbim zjarri me forcat e policisë.
Si pasojë e të shtënave, humbi jetën efektivi i policisë Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur efektivi Edison Adri.
Pas neutralizimit dhe arrestimit të autorit, grupet hetimore kryen kontrolle të imtësishme në zonë. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në stanin dhe banesën e Braçellarit u gjet dhe u sekuestrua arma tip kallashnikov, e dyshuar si arma e përdorur në krimin e rëndë, si edhe një sasi ende e papërcaktuar municioni luftarak.
Gjatë kontrollit janë gjetur gjithashtu dy dronë dhe tre radio-komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga strukturat e policisë për ndërlidhje.
Ndërkohë, Violand Braçellari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, pasi mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me efektivët e policisë. Hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe origjinën e pajisjeve të sekuestruara.

