Vijon procesi i dosjes “Plumbi i Artë” ndërsa një nga dëshmitë e kësaj të enjte ka qenë ajo e Xhemal Licit, i cili është plagosur gjatë një grabitjeje në Elbasan në vitin 2012.
Ai tregon momentet kur është sulmuar nga disa persona dhe goditur deri sa ka humbur ndjenjat, ndërsa rrëfen edhe episodin me vëllain e Talo Çelës që i shkonte në dyqan dhe e pyeste nëse ishte zbuluar diçka për autorët.
Lici kujton më pas se pasi ka parë Talo Çelën në televizor, është bindur se ai ka qenë një nga personat që e kanë sulmuar.
Dëshmia e Xhemali Licit
“Jam pyetur disa herë në prokurori dhe polici për ngjarjen e ndodhur në 2012. Unë zakonisht dal në 06:30 nga shtëpia. Dola nga shtëpia dhe mora me vete 12 milionë lekë, i futa në çantë. Në atë kohë kam pasur Benz me targë 4149. Futa në bagazh çantën me lekë, u ktheva të mbyll derën e shtëpisë, pastaj më sulmuan. Më lanë aty, më gjuajtën dy herë në gjoks dhe në gju. Pashë një makinë që ishte e parkuar aty, në momentin që po shkoja te imja. Ishte Peugeot e bardhë.
Fillimisht ishte njëri që më sulmoi, pastaj erdhën të tjerët dhe më goditën në fyt. Ishin disa lloje goditjesh, nuk e përballova, rashë në tokë. Pastaj u ngrita dhe humba ndjenjat. Ishin disa veta, njëri mori lekët, të tjerët u morën me mua. U godita me armë, lloji pistoletë. Ishin me kapuç të gjithë.
Në 06:00–07:00 dilja nga shtëpia. Atë ditë qëlloi që mora lekë, sepse një tregtar më solli lekë në darkë. Në 2007 punoja kambist, lekët që merrja i çoja në dyqan. Në gusht është puna më e madhe e kambistëve. Në atë kohë kam pasur edhe një punonjës dhe një roje. Kam nisur në 1994 të punoj si kambist ilegal. Unë isha filial i dikujt tjetër, i Sokol Hazatit. Nga familja ime, gruaja kishte një dyqan ushqimor në atë kohë.
Talo Çelën nuk e kam njohur në atë periudhë, as nuk e kam dëgjuar si emër deri në atë kohë. I vëllai i tij, Bujar Çela, vinte aty dhe pyeste si u bë ajo punë, a u gjetën ato njerëzit. I thashë mos të të shoh më në dyqan. Ai interesohej se kush ishin ata që e bënë, unë i thashë shiko punën tënde dhe mos hajde më në dyqan nëse vjen për këtë punë. Nuk i vinte keq atij për mua, ishte i panjohur. Bujari punonte taksi, por jo me licencë. Përderisa pyeste disa herë, dinte diçka. I thashë mos hajde më këtu.
A.Ll më thonte: “Do të çoj te një lavazh se kam një video.” I thashë ma trego, sepse e përcaktoj. E pashë Talo Çelën dhe i thashë ky është ai që më ka goditur. Kur e pashë për herë të dytë në një intervistë në televizor, i thashë familjarëve të mi: ky është personi. Kur foli Dumani pastaj, e kuptova që ishte ai. Talo Çela kishte një si maskë ngjyrë kafe dhe dukej.
(Shikon të pandehurit në kafaz)
Dëshmitari: Nuk njoh askënd”.



