Në Elbasan, në kohët e para, shtëpitë e reja kur ndërtoheshin, derën e dhomës së zjarrit do ta bënin shumë të ulët, që kur të hyje, të kërruseshe. Ky zakon ekzistonte në popullsinë kristiane dhe muslimane të qytetit.
Qëllimi i tij ishte që njeriu të përulej në respekt të banesës ku jetonte dhe të njerëzve të shtëpisë që banonin brenda dhe t’i binte ndër mend që të mos bëhej kryelartë, se ka dhe përulje. Kësaj dere i thonin “itakije” (përulje).
Në familjet muslimane, në të dy faqet e harkut, asaj i bënin yll dhe hënë, kurse në familjet kristiane i bënin kryq dhe stoli lulesh, si dhe zogj prej druri të skalitur.

