Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, Partia Socialiste ka mbledhur grupin e saj për të organizuar punët dhe axhendën legjislative. Në këtë kuadër, deputetja e PS e Qarkut të Elbasanit, Sara Mila, ka shpallur angazhimin e saj në dy prej komisioneve më të rëndësishme të Kuvendit: Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme si dhe Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Veçanërisht i rëndësishëm është kontributi i saj në këtë të fundit, një forum parlamentar që do të luajë një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të individit dhe në garantimin e etikës në komunikimin publik. Komisioni, i cili do të drejtohet nga opozita, ka në radhët e tij edhe figurën e znj. Iris Luarasi si nënkryetare nga Partia Socialiste ,një emër i njohur për integritetin dhe profesionalizmin në fushën e mediave dhe të drejtave të njeriut.Për deputeten Mila, ky angazhim është më shumë sesa një detyrë institucionale ,është një mision personal. “Ky rol ka një domethënie të veçantë për mua, sepse lidhet drejtpërdrejt me një nga ambiciet e mia kryesore: të çoj përpara nisma ligjore që adresojnë gjuhën e urrejtjes, bullizmin dhe linçimin publik, veçanërisht ndaj grave dhe të rinjve”, deklaroi ajo.
Në një kohë kur diskursi publik shpesh ndotet nga agresiviteti verbal, dezinformimi dhe sulmet personale, Mila nënvizon se politika duhet të jetë e para që jep shembullin e saj. “Besoj se politika është e para që duhet të ofrojë një hapësirë më të shëndetshme, më të respektueshme dhe më dinjitoze për këdo”, thekson ajo.
Sara Mila mbetet një prej përfaqësueseve më aktive të brezit të ri politik brenda Partisë Socialiste, duke sjellë në tryezat institucionale temat që prekin realisht qytetarët: të drejtat, dinjiteti, dhe garantimi i një debati publik konstruktiv e të barabartë.
Përballë sfidave të reja në shoqërinë shqiptare, roli i këtij komisioni pritet të jetë vendimtar, dhe kontributi i deputeteve si Sara Mila, një zë i fortë për barazinë dhe etikën publike, është një sinjal pozitiv për të ardhmen e jetës parlamentare dhe të demokracisë sonë.