Nga Enton Abilekaj
Dje, Nepali përjetoi një moment të rrallë dhe historik, një Kryeministre e përkohshme u zgjodh në një mënyrë krejtësisht të pazakontë. Në një vend të përfshirë nga kaosi politik, me Parlamentin e djegur dhe elitën politike të përjashtuar nga loja, zgjidhja erdhi nga më të rinjtë, përmes një platforme online që zakonisht përdoret për lojëra, Discord. Ishte grupi Hami Nepal, organizatori kryesor i protestave që përmbysën qeverinë, ai që mori iniciativën për të hapur një debat publik dhe votim online.
Pjesëmarrësit ishin kryesisht të rinj të brezit Z, nga Nepali dhe diaspora, adoleshentë dhe të rinj të lindur pas vitit 2000, që përballë një sistemi të kalbur politik, zgjodhën të veprojnë në vend të të dorëzoheshin. Pas disa orësh diskutimesh në platformën Discord, ata vendosën t’i besojnë postin e Kryeministres së përkohshme Sushila Karki, ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, një 73-vjeçare me integritet dhe përvojë.
Zgjedhja e saj simbolizon bashkimin e energjisë rinore me urtësinë e një figure që përfaqëson drejtësinë dhe etikën në politikë. Ky moment është një dëshmi e fuqisë së një brezi të ri, që jo vetëm rrëzoi një qeveri autokratike dhe të korruptuar pa ndihmën e askujt, por edhe krijoi një formë të re demokracie, një demokraci digjitale, të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Ata nuk zgjodhën të heshtin, të nënshtrohen apo të emigrojnë.
Zgjodhën të qëndrojnë, të veprojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen me duart e tyre. Në një botë ku shpesh të rinjtë etiketohen si pasivë apo të painteresuar për çështjet publike, ajo që ndodhi në Nepal është një shembull frymëzues. Këta të rinj nën 25 vjeç janë sot një nga ngjarjet më të bukura dhe domethënëse që po ndodhin në botë.