Debat për pasuritë e konfiskuara/ Deputeti Olsi Komici publikon fjalën e munguar në Kuvend: Nisma ka qëllim të drejtë, por mangësi serioze në zbatim

Deputeti socialist i Librazhdit, Olsi Komici, ka bërë publike në rrjetin social Facebook fjalën e tij të munguar në seancën parlamentare, ku u diskutua nisma ligjore e deputetit të opozitës Klevis Balliu për ndryshime në ligjin “Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”.

Në reagimin e tij, Komici vlerëson frymën sociale të nismës, por thekson se ajo ka mangësi të dukshme në aspektin juridik, financiar dhe praktik të zbatimit.

Më poshtë, fjala e plotë e deputetit Olsi Komici:

“Fjala ime e munguar në seancën e sotme në lidhje me nismën ligjore të deputetit të opozitës Klevis Balliu, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, datë 17.06.2019, Për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara’.

I nderuar Kryetar,

Të nderuar kolegë deputetë,

Të nderuar bashkëqytetarë në Librazhd dhe Prrenjas.

Sot po diskutojmë një nismë që prek një temë tejet të ndjeshme, humane dhe me interes të lartë publik: përdorimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga veprimtaria kriminale në funksion të mbështetjes së shtresave që kanë nevojë reale për mbështetjen e shtetit.

Në fillim, dua të theksoj qartë se ka një dakordësi të plotë për parimin që qëndron në themel të kësaj nisme. Është jo vetëm e drejtë, por edhe moralisht e domosdoshme që pasuritë e ardhura nga krimi të rikthehen në shërbim të shoqërisë. Aq më tepër, është e drejtë që përparësi në këtë mbështetje të kenë viktimat e krimit, familjet e punonjësve të rënë në detyrë, si dhe kategori të tjera që përballen me vështirësi reale sociale e ekonomike, përfshirë edhe çiftet e reja që sot e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë një strehë dinjitoze.

Kjo është një qasje që gjen mbështetje të gjerë njerëzore, sociale dhe institucionale. Shteti duhet të jetë pranë atyre që kanë paguar koston më të rëndë nga dhuna, kriminaliteti apo sakrifica në shërbim të rendit dhe sigurisë publike. Po kështu, shteti duhet të tregojë gatishmëri konkrete për të ndihmuar familjet e reja, të cilat përballen me sfida serioze ekonomike, me pasiguri dhe me pamundësi për të ndërtuar jetën e tyre me standardet që meritojnë.

Pikërisht për këtë arsye, nisma që kemi përpara meriton vlerësim për frymën sociale që përcjell dhe për përpjekjen për të adresuar çështje që janë reale dhe të prekshme për qytetarët tanë.

Megjithatë, përgjegjësia jonë si ligjvënës nuk mbaron tek vlerësimi i qëllimit. Ne kemi detyrimin të shqyrtojmë me seriozitet edhe cilësinë juridike të nismës, qartësinë e mekanizmave që ajo propozon, harmonizimin e saj me kuadrin ekzistues ligjor dhe zbatueshmërinë reale në praktikë.

Dhe pikërisht këtu qëndrojnë mangësitë e kësaj nisme.

Së pari, projektligji paraqet paqartësi në mënyrën se si do të funksionojë konkretisht mekanizmi i propozuar. Nuk janë të qarta me saktësi kriteret, procedurat, institucionet përgjegjëse dhe mënyra e shpërndarjes së fondeve, ç’ka krijon hapësirë për pasiguri në zbatim dhe për probleme në administrim.

Së dyti, nisma krijon mbivendosje me kuadrin ligjor ekzistues. Sot, legjislacioni ynë parashikon mekanizma të posaçëm si në fushën e strehimit social, ashtu edhe në trajtimin financiar e social të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe familjeve të tyre. Ligji nr. 22/2018 “Për strehimin social”, të ndryshuar dhe Ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” përmbajnë tashmë instrumente konkretë mbështetës, përfshirë kredi të lehtësuara, kredi me interes zero, edhe banesa apo subvencione dhe përfitime të tjera për punonjësit e policisë dhe për familjarët e të rënëve në detyrë. Po ashtu tashmë është evidente ndihma e përvitshme që pushteti vendor u jep cifteve të reja dhe familjeve në nevojë nëpërmjet programeve sociale duke u siguruar kredi me interesa të buta me qëllim sigurimin e një strehimi të përshtatshëm. Krijimi i një skeme të re, pa një analizë të plotë harmonizuese, rrezikon të sjellë jo zgjidhje, por konfuzion institucional dhe mbivendosje kompetencash.

Së treti, projektligji nuk shoqërohet me një vlerësim të plotë dhe të qëndrueshëm financiar. Burimi i financimit i propozuar, i lidhur me të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara, është nga natyra i paqëndrueshëm dhe i ndryshueshëm. Nuk mund të ndërtohen politika sociale afatgjata dhe skema strehimi mbi baza financiare që nuk ofrojnë siguri, parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri.

Së katërti, projektligji ka nevojë për një reflektim më të thelluar në raport me parimin e barazisë dhe me nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse. Mbështetja për kategori të caktuara duhet të jetë e drejtë, e argumentuar dhe e integruar në një politikë publike të mirëstudiuar, jo e fragmentarizuar apo e shkëputur nga sistemi ekzistues.

Të nderuar kolegë,

Qeveria e ka të qartë nevojën për të forcuar mbështetjen ndaj viktimave të krimit, familjeve të të rënëve në detyrë, punonjësve të rendit dhe shtresave në nevojë, përfshirë çiftet e reja. Po aq e qartë është edhe nevoja që kjo të bëhet përmes një kuadri ligjor të plotë, të koordinuar, të qëndrueshëm dhe dinjitoz, që të mos krijojë boshllëqe, mbivendosje apo pabarazi në zbatim.

Pikërisht për këtë arsye, qeveria është duke punuar për të prodhuar një akt ligjor më të plotë, më organik dhe më të mirëstrukturuar, i cili do të adresojë në mënyrë të harmonizuar të gjitha këto çështje, duke respektuar kuadrin kushtetues, legjislacionin ekzistues dhe nevojat reale të këtyre shtresave.

Prandaj, ndërsa vlerësojmë frymën dhe synimin e kësaj nisme, ne duhet të jemi të ndershëm në vlerësimin tonë: kjo nismë, në formën që paraqitet sot, nuk i jep ende zgjidhjet e plota dhe të qëndrueshme që kërkon kjo çështje.

Mbështetja për viktimat e krimit, për familjet e dëshmorëve të rendit, për punonjësit e sigurisë dhe për çiftet e reja nuk duhet të mbetet thjesht një deklaratë vullneti. Ajo duhet të përkthehet në politika serioze, në instrumente të qarta ligjore dhe në mekanizma të zbatueshëm që garantojnë efektivitet, drejtësi dhe dinjitet.

Ndaj, qëndrimi ynë është i qartë:

ne e vlerësojmë nismën për qëllimin e saj social,

mbështesim pa asnjë hezitim parimin e përdorimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara në interes të publikut,

por njëkohësisht vlerësojmë se kjo çështje kërkon një ndërhyrje më të plotë, më të harmonizuar dhe më të përgjegjshme nga pikëpamja ligjore, institucionale dhe financiare.

Vetëm kështu mund të ndërtojmë një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe vërtet në shërbim të qytetarëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Cërriku hyn në epokën “smart”: Platforma AgroSmart revolucionarizon bujqësinë lokal

Cërriku po hedh hapa të sigurt drejt një të...

Gramshi në fokus të zhvillimit: Qeveria shpall 16 zona prioritare për ekonominë malore

Një lajm shumë i rëndësishëm dhe premtues vjen për...

“Ngjyra Pranverore 2026” në 5 prill bën bashkë në Librazhd artin , muzikën dhe kulturën

Bashkia e Librazhdit, nën kujdesin e kryetarit Z. Mariglen...