Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka fituar çështjen gjyqësore ndaj shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti, duke hedhur poshtë akuzat që kishin nxitur një valë hetimesh dhe debati publik në vend për të ashtuquajturën çështjen e inceneratorëve.
Në mbyllje të procesit gjyqësor, të zhvilluar pranë Dhomës Penale të gjykatës së juridiksionit të përgjithshëm Tiranë, është përfunduar se të gjitha pretendimet e mëparshme të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti ndaj Veliajt janë të pavërteta. Mësohet se vetë shtetasi italian gjatë procesit gjyqësor ka pranuar se nuk ka pasur asnjë takim, komunikim apo marrëdhënie me kryebashkiakun, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali.
Longinotti pranon gjithashtu se deklaratat e bëra në media, përfshirë intervista televizive, kanë qenë të motivuara nga premtime për përfitime financiare, duke ngritur dyshime serioze mbi besueshmërinë e burimeve që nxitën hetimin fillestar.
Vendimi i gjykatës konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm, pasi rrëzon bazën e akuzave që çuan në një proces të gjatë verifikimesh dhe presioni publik ndaj Veliajt dhe familjes së tij për çështjen e inceneratorëve, dhe duke u përdorur si alibi nga kundërshtarët për zhvillimin e protestave të dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës për një periudhe mbi një vjeçare.
Reagimet pas vendimit kanë qenë të shumta, ndërsa mbështetësit e Veliajt e konsiderojnë këtë si një rikthim të së vërtetës dhe një goditje ndaj asaj që ata e cilësojnë si “fabrikim akuzash” me motive politike dhe mediatike.
Pas pranimit të shpifjes dhe ndjesës nga z. Longinotti, avokatët e Veliajt nuk kanë kërkuar dënim të mëtejshëm, duke u mjaftuar me zbardhjen e të vërtetës. “Qëllimi i klientit tonë është e vërteta, jo dënimi i njerëzve të përdorur për luftë politike. Ky qëllim u arrit me pranimin e fajit nga i akuzuari për shpifje.”
Vetë Veliaj ka deklaruar se do të vijojë betejën ligjore për të mbrojtur integritetin e tij dhe për të nxjerrë në pah përgjegjësit e dëmit të shkaktuar, duke theksuar se rasti duhet të shërbejë si një mësim për përgjegjësinë që mbartin deklaratat publike.

