Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje ka vijuar në njësinë administrative Bradashesh, aty ku ndodhet edhe gjigandi i dikurshëm industrial, ish-Metalurgjiku.
Në takimin me banorët, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shoqërua nga deputetja e zones Sara Mila, ku u diskutua për projektet e realizuara, prioritetet për vitin e ardhshëm dhe të ardhmen e zonës industriale.
Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka nisur një proces të gjerë diskutimesh për hartimin e masterplanit të zonës së ish-Metalurgjikut, me synimin për ta shndërruar atë në një hapësirë të kombinuar prodhimi dhe rekreative, në shërbim të banorëve të Bradasheshit dhe të gjithë Elbasanit.
“Kemi filluar një projekt të madh për ta kthyer zonën industriale të Metalurgjikut në një ambient, jo vetëm për prodhim, por edhe për rekreativitet. Po punojmë që të zhvillojmë modelet më të mira të ekonomisë së gjelbër. Kemi bashkëpunuar ngushtë me banorët për sistemime, hapje rrugësh, rrugët e arave, si dhe për zgjidhjen e problematikave të përditshme,” tha Llatja.
Kryebashkiaku shtoi se Bashkia Elbasan po vijon me rritje të buxhetit falë performancës së mirë dhe menaxhimit efikas të të ardhurave, ndërsa theksoi se çdo projekt i propozuar nga banorët do të vlerësohet sipas prioriteteve reale të zonës.
Nga ana e saj, deputetja Sara Mila vlerësoi procesin e buxhetimit me pjesëmarrje si një tregues të qartë të demokracisë vendore, ku qytetarët përfshihen drejtpërdrejt në vendimmarrje.
“Buxhetimi me pjesëmarrje është një praktikë që ka dhënë rezultate konkrete. Bashkia e Elbasanit po tregon se dëgjon qytetarët dhe përcakton prioritetet sipas nevojave të tyre. Ndaj garantoj se nga ana e qeverisë qendrore do të mbështesim çdo projekt që ndihmon zhvillimin e zonës,” deklaroi Mila.
Takimi në Bradashesh është pjesë e turit të konsultimeve publike të Bashkisë Elbasan, për përgatitjen e buxhetit të vitit të ardhshëm, me synimin që çdo vendim të bazohet në nevojat reale të komunitetit.