“Brezi i tretë i aktrimit”, Miho Gjini nderon yjet e rinj të skenës shqiptare

Në ditën e fundit të Festivalit Teatror Ndërkombëtar “Skampa Extension”, në Bibliotekën “Qemal Baholli” u promovua libri më i ri i shkrimtarit dhe kritikuesit të njohur të artit, Miho Gjini, me titullin “Brezi i tretë i aktrimit”.

Ky libër përbën një vepër të veçantë që ruan kujtesën e skenës shqiptare dhe transmeton dritën dhe pasionin te brezat që vijnë. Ai është një homazh për 25 artistë të rinj të skenës dhe ekranit, yje të brezit të tretë në qiellin e aktrimit shqiptar.

Pas 65 vitesh në shërbim të artit, Miho Gjini sjell librin e tij të 38-të, duke dëshmuar dashurinë, përkushtimin dhe mirënjohjen për magjinë e quajtur Teatër.

Miho Gjini, kritik i njohur dhe i respektuar për kontributin e tij në skenën e teatrit dhe ekranit shqiptar, ka lindur më 20 mars 1938 në fshatin Piqeras të Himarës, ku kreu edhe shkollën fillore. Më pas, ai ndoqi studimet në Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë, duke u specializuar si teknik rongeni dhe ushtruar këtë profesion në Spitalin Civil të Gjirokastrës.

Studimet e larta i përfundoi në Shkollën e Lartë të Aktorëve, ku u diplomua si aktor dhe regjisor, me specializim në kritikë teatri. Më pas, u emërua drejtor dhe regjisor i Teatrit Profesionist “Skampa” të Elbasanit, ku realizoi dy shfaqje të rëndësishme: dramën “Justina” dhe komedinë “Kutia prej argjendi”.

Pas tre vitesh në këtë pozicion, Miho Gjini mori detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Teatrove dhe Estradave të Republikës, duke kontribuar njëkohësisht si pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve për 12 vite, duke formuar breza artistësh dhe duke lënë një gjurmë të rëndësishme në skenën shqiptare.

“Brezi i tretë i aktrimit” nuk është thjesht një libër për historinë e teatrit, por një dëshmi dashurie për artin, për aktorët dhe për të gjithë ata që besojnë se skena dhe ekrani janë shtëpitë e magjisë së së bukurës.

albaniaexpress.al

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME