GJERMANI ,8 maj 2026/Albania Express News /Të reja jo shumë pozitive vijnë nga Gjermania për talentin shqiptar Brajan Gruda. E ardhmja e 21-vjeçarit duket gjithnjë e më larg RB Leipzig, pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur të mos ushtrojnë opsionin për blerjen përfundimtare të lojtarit dhe aktualisht nuk kanë interes për një transferim të plotë.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar për mesfushorin ofensiv, pasi Brighton & Hove Albion, klubi që zotëron kartonin e tij, nuk pranon një tjetër formulë huazimi pa një detyrim blerjeje. Për anglezët, një huazim i thjeshtë nuk konsiderohet më një zgjidhje me vlerë ekonomike apo sportive.
Në prag të merkatos së verës, emri i Grudës pritet të jetë sërish në qendër të lëvizjeve. Futbollisti shqiptar vazhdon ta shohë Gjermaninë si destinacionin ideal për të ardhmen e tij, por deri tani asnjë klub nuk duket gati të plotësojë kërkesat financiare të Brighton.
Ndërkohë, edhe perspektiva për të qenë pjesë e listës së ardhshme për Botërorin duket shumë e vështirë në këtë moment të karrierës së tij. Mungesa e minutave dhe paqartësia për të ardhmen po ndikojnë ndjeshëm në ritmin e zhvillimit të talentit kuqezi.
Tani mbetet për t’u parë nëse ndonjë klub gjerman do të hidhet në sulm për Grudën apo nëse ai do të rikthehet në Premier League për të kërkuar një shans të ri.

