Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u diskutua sot për projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”, me fokus tek deficiti dhe borxhi publik. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, shprehu kritika për mënyrën si po menaxhohet deficiti buxhetor dhe nivelin e investimeve publike.
“Investimet publike duhet të jenë tre herë më të mëdha se deficiti buxhetor. Cila është vërejtja ime? Ne nuk kemi disiplinë buxhetore. E dyta, ekzekutimi i deficitit duhet të jetë detyrim. Nuk kemi asnjë përfitim nëse nuk realizojmë deficitin buxhetor, sepse çdo qindarkë e pa shpenzuar shkon dëm për ekonominë kombëtare,” – deklaroi Braçe.
Deputeti socialist theksoi se mospërmbushja e deficitit nënkupton mungesë injektimi financiar në ekonomi, duke shtuar se fondet e planifikuara duhet të realizohen në tërësi, pasi janë të nevojshme për zhvillimin ekonomik.
Braçe foli edhe për detyrimet e prapambetura të bashkive, duke kërkuar që ato që tregojnë vullnet për shlyerjen e borxheve, si rasti i Bashkisë së Pogradecit, të ndihmohen financiarisht.
“Ka ardhur koha që bashkitë që kanë treguar përgjegjshmëri dhe përpjekje për të shlyer detyrimet, të mbështeten. Kryebashkiaku i Pogradecit, që nga dita e parë në detyrë, po punon për të shlyer borxhet. Nëse tregohet vullnet, duhet ndihmuar,” – u shpreh Braçe.
Gjatë fjalës së tij, ai iu përgjigj edhe replikave në sallë, duke theksuar se buxheti duhet të udhëhiqet nga konsolidimi fiskal dhe nga përgjegjshmëria në menaxhimin e financave publike.

