Nga Fatmir Popja
Në një kohë kur politika shpesh shihet me mosbesim, deklarata të sinqerta dhe reflektuese janë të rralla. Por Bora Muzhaqi, në mbyllje të mandatit si Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, ka dhënë një shembull të ndryshëm, një largim me dinjitet, me fakte konkrete dhe me tone që tejkalojnë gjuhën standarde të politikës ditore. “Për mua, kjo punë nuk ka qenë kurrë për tituj, mikrofona apo foto. Por detyrim dhe përgjegjësi për të qenë aty, sidomos kur ishte më e lehtë të mos ishe,” shkruan ajo në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, që shënon fundin e një kapitulli dhe fillimin e një tjetri në jetën e saj publike.
Muzhaqi do të vazhdojë kontributin e saj si deputete e Qarkut të Elbasanit, por nuk largohet nga qeveria si shumë të tjerë, në heshtje apo me fjalë të vakëta. Përkundrazi, ajo i rikthehet fjalimit të saj të parë në Kuvend katër vite më parë dhe tregon me bindje se premtimet janë kthyer në politika konkrete:
- Kodimi në shkolla,
- Programet për artet dhe zejet,
- Sporti për të rinjtë,
- Politika kombëtare rinore, janë jo vetëm pjesë e diskursit, por edhe të buxheteve dhe planeve në zbatim.
Në një shoqëri që shpesh prodhon zyrtarë që më shumë mbajnë poste sesa mbajnë përgjegjësi, Bora Muzhaqi e ka pozicionuar veten ndryshe, si zëri që dëgjon, si politikania që zgjodhi të jetë pranë të rinjve edhe kur nuk ishte “politikisht e leverdishme”.
Por ndoshta më i veçanti është mesazhi që ajo përcjell për të rinjtë e Shqipërisë:
“Ju nuk jeni vetëm e ardhmja. Ju jeni presioni ndaj të tashmes.” Kjo frazë nuk është thjesht metaforë. Është mënyrë të menduari. Është thirrje për një politikë më të ndërgjegjshme, më të drejtë dhe më të hapur ndaj atyre që e kërkojnë ndryshimin jo vetëm për veten, por për vendin e tyre.
Me kalimin e saj në Kuvend, Bora Muzhaqi nuk e humb lidhjen me kauzën që e solli në politikë. Përkundrazi, ajo e çon atë në një nivel më të gjerë përfaqësimi, tani si deputete e Elbasanit. Një qytet dhe një qark me potencial të madh rinor, që mund të përfitojë nga një zë i artikuluar dhe me përvojë të drejtpërdrejtë në hartimin dhe zbatimin e politikave publike.
Në fund, ajo që mbetet nga kjo deklaratë, nuk është vetëm një rotacion institucional, por një model i një brezi të ri në politikën shqiptare. Një brez që flet pak, por bën shumë. Që nuk ka frikë të thotë “ky kapitull mbyllet”, por as të nisë tjetrin me të njëjtën ndershmëri. Bora Muzhaqi largohet nga ministria pa bujë, por me një gjurmë të qartë. Politika për të rinjtë nuk është një fasadë, është themel. Dhe ajo, për katër vite e ndërtoi me durim.
Në rolin e saj të ri si deputete e Qarkut të Elbasanit, Bora Muzhaqi ka shprehur angazhimin për të vijuar mbrojtjen e interesave të të rinjve dhe fëmijëve, këtë herë nga salla e Parlamentit. Ajo synon të sjellë në Kuvend zërin e qytetarëve të gjithë Qarkut Elbasan, të promovojë politika zhvillimi për arsimin, punësimin rinor dhe fuqizimin social të familjes shqiptare. E vendosur që të mos lejojë që përvojat dhe sfidat e katër viteve në ekzekutiv të mbeten vetëm kujtime, ajo do të punojë për t’i kthyer ato në nisma konkrete ligjore dhe përfaqësim të ndershëm.
Për Muzhaqin, politika nuk është thjesht vendimmarrje, por një marrëdhënie besimi që duhet forcuar çdo ditë me qytetarët. Nga Elbasani drejt gjithë Shqipërisë, ajo e sheh këtë kapitull si një mundësi për të zgjeruar ndikimin, por pa ndryshuar thelbin. Deputetja Bora Muzhaqi do t’u shërbejë njerëzve me përkushtim, integritet dhe me sinqeritet.