Blaise Tsague po kalon një periudhë të shkëlqyer me fanellën e Elbasanit. Me golin vendimtar në duelin ndaj Vllaznisë, kamerunasi po konfirmon edhe një herë se është lojtari më i rëndësishëm i fazës së sulmit. Forma e tij, vendosmëria dhe lidhja me skuadrën e kanë shtyrë Elbasanin drejt rezultateve pozitive dhe e mbajnë ekipin në pozitat e larta të klasifikimit. Pas ndeshjes, Tsague dha një prononcim për mediat, ku foli për emocionet, objektivat dhe përjetimin e tij në qytetin e Elbasanit.
Për golin vendimtar
“Jam shumë i lumtur për golin dhe fitoren. Ishte një moment i veçantë për mua, sepse e përjetova përpara tifozëve tanë. E dinim që Vllaznia do të ishte rival i fortë, një ndeshje e luftuar fizikisht. Në pushim, trajneri na kërkoi të ishim më agresivë dhe të kërkonim golin me më shumë vendosmëri. Fatmirësisht, e arritëm.”

Gjendja fizike dhe performanca personale
“Fizikisht ndihem shumë mirë. Po punoj çdo ditë për t’u përmirësuar, sidomos në vendimmarrjen para portës. Objektivi im personal është i qartë: dua të jem golashënuesi më i mirë i kampionatit. Pse jo, të mbyllim sezonin si kampionë të Shqipërisë?”
Sekreti i progresit të skuadrës
“Kemi një grup shumë të bashkuar. Çelësi i rezultateve tona është puna e përditshme, përulësia dhe besimi te njëri-tjetri. Javët e fundit po tregojmë se kemi rritje dhe jemi në rrugën e duhur.”
Mesazhi për tifozët
“Falënderim nga zemra për tifozët tanë. Ata janë me ne në momentet e mira dhe në ato të vështira. Premtoj se do të vazhdoj të jap maksimumin për t’i bërë krenarë dhe për t’i shpërblyer me paraqitje dhe gola.”

Pritshmëritë për kampionatin dhe ndeshjen e radhës
“Kampionati është i gjatë, por ne besojmë se mund të jemi mes katër ekipeve më të mira. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim. Ndeshja ndaj Vorës do të jetë e vështirë, sepse ata kanë një skuadër cilësore, por do të futemi në fushë për të marrë fitoren.”
Lidhja me qytetin e Elbasanit
“Më pëlqen shumë qetësia e Elbasanit. Është një qytet mikpritës dhe ndihem shumë mirë këtu. Edhe… fasulja është e shkëlqyer!” (qesh)

