Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme pas protestës së PD-së në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Sipas Berishës, nga policia janë ndaluar edhe dy qytetarë nga Kosova, të cilët kishin ardhur si turistë.
“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe provokacionet dhe terrorin policor ndaj disa të rinjve, të cilat nuk kanë kryer absolutisht as edhe aktin më të vogël të dhunës. Janë ndaluar 10, nga të cilët 4 janë arrestuar. Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi, Xhejson Prendi. Dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur dhe janë arrestuar nga policia sapo kanë marrë vesh se janë kosovarë për të mundur me akuzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta.
“E vërteta është që këta të dy kanë ardhur si turistë. Kanë qenë këtu pas protestës. Kanë bërë foto. Njëri më tha, që jam djali i një luftëtari të UÇK, dhe unë e përqafova, bëra një foto me të. Tani këtë e kanë arrestuar”, tha Berisha.
Berisha shtoi se protestuesit po luftojnë kundër hajdutëve të kombit.
“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tyre dhe paralajmëroj policinë të mos prekë me dorë protestuesit se ata po luftojnë kundër hajdutëve të kombit, kriminelëve në detyrë. Të mendohen mirë, të qëndrojmë më mirë me ligjin se me kriminelin, të lirojnë menjëherë personat e arrestuar”, tha Berisha.

